Ndihmonin klandestinët të kalonin ilegalisht kufirin, momenti i arrestimit të tre të rinjve në Gjirokastër (VIDEO)

Policia ka finalizuar me sukses dy operacione policore të koduara “ROAD GUARD 2” dhe “ROAD GUARD 3”, për për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Në operacionin  “ROAD GUARD 2”, u arrestua shtetasi Ç. H., banues në Tepelenë, pasi u kap në flagrancë, në aksin rrugor Tepelenë-Krahës, në afërsi të fshatit Qesarat, duke transportuar me automjetin e tij, 4 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe dy aparate celulare.

Ndërsa në operacionin e koduar “GUARD ROAD 3”, u arrestuan në flagrancë shtetasit M. H., 19 vjeç dhe E. B., 19 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kapën në flagrancë, në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, duke transportuar me automjetin e tyre, emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe dy aparate celulare.

“Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, thotë policia/albeu.com


Shtuar 28.02.2022 11:35