OKB: Të paktën 64 civilë të vrarë prej pushtimit rus

Të paktën 240 civilë janë plagosur dhe 64 janë vrarë prej shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

Megjithatë, Zyra e OKB-së për Koordinim të Çështjeve Humanitare (OCHA), ka paralajmëruar se shifrat mund të rriten në ditët në vijim.

Qindra mijëra persona janë pa rrymë dhe ujë, derisa më shumë se 160,000 tjerë janë zhvendosur brenda shtetit.

Rreth 116,000 persona janë detyruar të largohen jashtë Ukrainës.

Qeveria ukrainase ka vlerësuar se në skenarin më të keq pesë milionë persona mund të ikin nga ky shtet.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës. /REL


Shtuar 27.02.2022 08:27