Tronditje, tmerr dhe hutim – tre fjalë që mund të përshkruajnë gjendjen shpirtërore të shumë njerëzve në kryeqytetin rus Moskë këtë mëngjes.
Sapo u shfaq lajmi për sulmin ushtarak kundër Ukrainës, moskovitët filluan të shkëmbejnë mesazhe, duke pyetur njëri-tjetrin se çfarë duhet të bënin – të rezervonin ushqime apo dollarë amerikanë?
Të tjerë pyesin se çfarë do të ndodhë me rublën pasi Bursa e Moskës ndaloi tregtimin.
Në banka dhe pika të këmbimit valutor ka radhë dhe është shtuar edhe prania e policisë në rrugë, njofton BBC.
Ata që kundërshtojnë luftën kundër Ukrainës po diskutojnë mundësinë e mbajtjes së një mitingu në Moskë këtë mbrëmje.
Leja për një tubim të tillë nuk ka gjasa të jepet. Protestuesit individualë që kishin protestuar ditët e fundit u arrestuan shpejt nga policia.
Sondazhet e opinionit të kryera përpara fillimit të aksionit ushtarak treguan se rreth gjysma e të gjithë rusëve nuk besonin se një luftë me Ukrainën ishte e mundur.
Një shumicë dërrmuese e të pyeturve fajësuan NATO-n për përshkallëzimin aktual të tensioneve me Perëndimin.