Praktikisht PSG e ka të fituar titullin në Ligue 1 dhe tani forcat janë përqëndruar në Champions League ku duhet të mbrojnë rezultatin e parë ndaj Real madrid.
Rikthimi i Neymar si titullar ndaj Nantes nënkuptonte rikthimin e “MMN” në sulm, një treshe magjike që, pavarësisht talentit të jashtëzakonshëm që bashkojnë, është një faktor kushtëzues kur vjen puna te mbrojtja. Djemtë e Pochettino u dorëzuan 3-1 kundër Nantes ku u duk qartë që me Messi, Mbappe e Neymar, ekipi ka probleme në mbrojtje. E thjeshtë arsyeja, sepse asnjë prej tyre nuk ndihmon të kthehen mbrape.
Pa Neymar, luan Di Maria përpara por argjentinasi është një motor në fushë dhe ndihmon shumë dhe mesfushën dhe mbrojtjen dhe tani Pochettino është në dilemë.
Nga 28 nëntori deri më 20 shkurt, kur Neymar u dëmtua, PSG ishte e pamposhtur në të gjitha garat. Deri më tani në vitin 2022, parisienët mezi kishin pësuar dy gola, teksa me Neymar titullar, me Nantes morën 3 gola në vetëm 45 minuta.
Problemi i madh i Pochettino-s para ndeshjes në Bernabéu do të jetë të përpiqet të përfshijë Neymar, Messi dhe Mbappé në detyrat mbrojtëse për të shmangur një figure të keqe si ajo kundër Nantes por që në rastin e Realit, do të kushtonte shtrenjtë për ta.