Nuk kursen as fëmijët, mjekja neurologe tregon simptomat dhe si mund të parandaloni goditjen në tru

Stroke ose goditja në tru është një sëmundje që ka të bëjë me dëmtimin e enëve të gjakut. Ka pasoja neurologjike dhe mund të çojë në fatalitet. Stroke janë dy llojesh: ishemik që shkaktohet nga bllokimi i enëve të gjakut dhe përbën 80 përqind të rasteve si dhe hemoragjik që nënkupton një çarje të enës së gjakut.

Doktoresha Vojsava Leka, neurologe pranë Spitalit Amerikan 3, ishte e ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ku foli për simptomat dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje. Dr. Leka theksoi se goditja në tru ndodh në mënyrë të menjëhershme dhe ndër simptomat kryesore janë problemet me shikimin, rëndimi apo pamundësia për të komanduar anësitë dhe ekuilibri.

“Faktorët e rrezikut ndahen në dy kategori: Faktorë të modifikueshëm dhe të pamodifikueshëm. Te të parët përmendim hipertensionin arterial, problemet kardivaskulare, diabeti, duhanpirja, alkooli, jeta sedentare, problemet kronike të veshjave, abuzimi me drogërat. Dhe terapitë hormonale dhe estrogjeni në doza të caktuara janë faktor. Ndërsa faktorët e pamodifikueshëm janë mosha, gjinia dhe gjenetika që nënkupton një histori familjare për stroke, rrit rrezikun që pacienti të ketë stroke në të ardhmen.”, tha Dr. Leka.

Ajo theksoi se është e nevojshme që pacienti duhet t’i drejtohet menjëherë mjekut nëse shfaq ndonjë simptomë pasi ndërhyrja në momentin e duhur mund të ulë rrezikun për invadilitet dhe vdekshmëri. Sipas saj, kjo sëmundje nuk prek vetëm moshat mbi 50 vjeç por dhe të rinjtë. Mjekja u ndal gjithashtu dhe te Stroke Unit, qendrën e specializuar për goditjet në tru në Spitalin Amerikan 3.

“Stroku nuk përjashton asnjë moshë. Moshat e avancuara rrisin rrezikun për stroke. Risku rritet mbi moshën 50 vjeç dhe për çdo 10 vjeçar dyfishohet. Ka dhe mosha të reja dhe fëmijë që mund të pësojnë goditje celebrovaskulare. Faktorët e rrezikut ndryshojnë sipas moshave. Moshat e reja janë sëmundjet kardiake apo problemet gjenetike.

Kemi dhe mosha të reja dhe janë nënshtruar trajtimeve për rivendosjen e fluksit të gjakut. Mund të luajë një rol dhe stili i jetesës pasi çrregullimet e ritmit të zemrës, problemet kardivaksulare, abuzimi me substanca të ndryshme, përdorimi i medikamenteve të caktuara por ka dhe një etnitet stroku që konsiderohet si idiopatik që nuk është gjetur shkaku.“, tha doktoresha.


Shtuar 16.02.2022 09:31