Kandidati i Komisionit të Rithemelimit për Bashkine e Shkodrës në zgjedhjet e 6 Marsit Bardh Spahia ka folur në krah të ish kryeministrit Sali Berisha për synimet e tij në këtë garë.
Spahia tha se kandidatët dhe kolegët e tij i dhanë vlerë garës së djeshme ndërsa shtoi se do e vazhdojnë bashkë rrugëtimin e tyre për të garantuar fitoren e PD.
“U bëra pjesë e një ditë historike jo vetëm për PD por për politikën, Gara e djeshme ishte një garë shpresëdhënëse për të ardhmen që ktheu rëndësinë e votës së qytetarëve të lirë të këtij vendi si e drejta bazike për të vendosur dhe për të zgjedhur ata që do i përfaësojnë. Kam ndjekur me një emocion të veçantë pjesëmarrjen e qytetarëve shkodranë që prej mëngjesit e deri në darkë.
Jam krenar unë dhe duhet të ndihet krenar çdo demokrat. Uroj të bëhemi shembull i mirë për politikën shqiptare. Dëshiroj të falënderoj kandidatët dhe kolegët e mi që i dhanë vlerë garës së djeshme dhe me të cilët jam i bindur që do vazhdojmë rrugëtimin tonë. Do bashkëpunojmë ngushtë për të garantuar fitoren e PD në zgjedhjet e afërta për bashkinë e Shkodrës”, deklaroi Spahia.