Gjendja e tanishme e ngrirë, status quo, në Dialog nuk po funksionon. Eksodi i vazhdueshëm i të rinjve kosovarë po vazhdon. Presim që si Kosova, ashtu edhe Serbia t’i respektojnë zotimet e mëhershme për njëra-tjetrën. Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë një Asociacion i komunave me shumicë serbe (AKS). Në mënyrë urgjente të arrihet marrëveshje finale mes Kosovës e Serbisë. Këto janë mesazhet që i përcjellë Gabriel Escobar, i dërguari i Presidentit Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, në intervistën ekskluzive për Gazetën Online Reporteri.net, e para e dhënë për një medium në Kosovë.
Sipas tij, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk e cenon sovranitetin e Kosovës. Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, thotë se çdo marrëveshje përfundimtare që do të jetë e pranueshme nga populli i Kosovës dhe nga ai i Serbisë do të jetë e pranueshme edhe për SHBA-në.
Escobar flet edhe për raportet e SHBA-së me Qeverinë Kurti. Ai ende nuk ka dijeni se kryeministri kosovar Albin Kurti mund të udhëtojë për një vizitë zyrtare në SHBA.
Në mënyrë të prerë i kërkon qeverisë së Kosovës që ta zbatojë vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese për tokat e Kishës serbe në Manastirin e Deçanit. Kërkon që Kosova t’u përmbahet zotimeve të 4 shtatorit 2020 në Washington.
Pak ditë para ardhjes në Prishtinë, ku do të qëndrojë për 3 ditë radhazi, Gabriel Escobar, duke folur ekskluzivisht për Gazetën Online Reporteri.net, thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të përdorin të gjitha veglat në dispozicion, përfshirë sanksionet, për të ndëshkuar ata që ai i quan aktorët e këqij dhe destabilizues dhe organizatat dhe bizneset që i mbështesin ato.
Ai po ashtu ka folur edhe për situatën në vendet e rajonit. Ka thënë që SHBA nuk do të bashkëpunojë me ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha nëse ai vjen në krye të PD-së. Ka folur edhe për konfliktin në Ukrainë dhe gjendjen në Bosnje e Hercegovinë.
Lexojeni të plotë intervistën e Zëvendësndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, dhënë ekskluzivisht për Gazetën Online Reporteri.net:
A është konfirmuar vizita juaj zyrtare në Prishtinë më 31 janar dhe 1 shkurt? Nëse po, cila do të jetë agjenda e kësaj vizite? Me kë do të takoheni dhe cilat do të jenë temat kryesore të diskutimit?
Gabriel Escobar: Do të udhëtoj në Bruksel, Prishtinë dhe Beograd nga 30 janari deri më 4 shkurt dhe planifikoj të qëndroj në Prishtinë nga 31 janari deri më 2 shkurt. Ky do të jetë udhëtimi i parë në Kosovë në rolin tim të ri si Përfaqësues i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor dhe e pres me padurim atë. Do të udhëtoj së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak. Në Prishtinë, planifikoj të takohem me udhëheqësit politikë të Kosovës për avancimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Qëllimi i ShBA-së është një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i normalizon marrëdhëniet Serbi-Kosovë, e përqendruar në njohjen reciproke.
Pas Prishtinës, a do ta vazhdoni vizitën në Beograd apo jo? A do të jetë dialogu në fokus të takimeve tuaja? Çka pikërisht do t’ju kërkoni zyrtarëve në Prishtinë? Po në Beograd?
Escobar: Më 2 shkurt do të udhëtoj për në Beograd dhe udhëheqësve në të dy kryeqytetet do t’ua përcjellë të njëjtën porosi: mënyra me e mirë që udhëheqësit e të dy vendeve të përmbushin premtimet para qytetarëve të tyre është duke i dhënë prioritet dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Kjo gjendje e tanishme e ngrirë, status quo, nuk po funksionon, siç po e shohim nga eksodi i vazhdueshëm i të rinjve që besojnë se e ardhmja e tyre është diku tjetër. Shpresoj që udhëheqësit në Serbi dhe Kosovë ta kuptojnë rëndësinë e të ecurit përpara, e jo prapa, përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja drejt normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të tyre, që mbetet thelbësor për rrugëtimin e tyre përkatës drejt BE-së.
Përkitazi me dialogun, momentalisht nuk ka takime të nivelit të lartë mes palëve. Si e vlerësoni qasjen e palëve në këtë proces?
Kosova dhe Serbia në aspektin kulturor janë evropianë, në aspektin historik janë evropianë dhe ekonomitë e tyre janë të lidhura me Evropën. Qytetarët e tyre meritojnë t’i gëzojnë vlerat evropiane të sundimit të ligjit, lirisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Vazhdojmë t’ju bëjmë thirrje si Kosovës, ashtu edhe Serbisë që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet dhe zotimet e dhëna në Bruksel. Një gjë e tillë kërkon fleksibilitet, kreativitet dhe në disa raste, kompromis. Presim dhe shpresojmë që krye-negociatorët dhe udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë të angazhohen me njëri-tjetin me sinqeritet, hapur dhe në frymën e kompromisit.
Vitin e kaluar, në një intervistë me shtypin e vendit, ish-kryenegociatori në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Cooper, tha „ShBA-ja gjatë kohës sime nuk ishte zyrtarisht në tryezën e negociatave, por ishte aty. E mbaj mend një rast kur situata mes palëve ishte e tendosur, takimi u ndërpre dhe ata nuk dëshironin ta vazhdonin dialogun. Por, pas një thirrjeje telefonike nga Shtëpia e Bardhë, nuk e di çka ndodhi, por palët u kthyen në tavolinë”. A do të rikthehet ky rol i Amerikës në procesin e tanishëm të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja?
Dialogu po zhvillohet ndërmjet dy palëve: Kosovës dhe Serbisë. BE-ja është aktori logjik për lehtësimin e dialogut meqenëse suksesi i ardhshëm i Kosovës dhe Serbisë është i lidhur drejtpërdrejtë me Brukselin dhe anëtarësimin përkatës të ardhshëm të tyre në BE. Shtetet e Bashkuara, megjithatë, mbesin mbështetëse dhe avokuese të forta të këtij dialogu të lehtësuar nga BE-ja dhe ne mbështesim përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila siç ka thënë presidenti Biden do të duhej të „përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”.
A ka ndonjë alternativë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe? Pas marrjes së mandatit të dytë, Kryeministri Kurti disa herë ka deklaruar se „nuk do të ketë asociacion etnik”, duke lënë të nënkuptohet refuzimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel, fillimisht në vitin 2013 e pastaj në 2015-n.
Presim që si Kosova, ashtu edhe Serbia t’i respektojnë zotimet e mëhershme. Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë një Asociacion i komunave me shumicë serbe (AKS). Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dhe nuk do të diktojnë se çka duhet të bëjë ky Asociacion e as cilat duhet të jetë kompetencat e tij; ky është vendim sovran që duhet ta marrë qeveria e Kosovës. Ka shumë modele që funksionojnë, duke përfshirë modele të shumta që do të lejonin bashkërenditje më të mirë lokale pa një nivel tjetër të qeverisë ose pushtetit ekzekutiv. E nxisim qeverinë e Kosovës që t’i shqyrtojë me kujdes këto modele.
ShBA-ja ka theksuar se marrëveshja përfundimtare kërkon kompromis nga të dy palët. Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova ka bërë mjaft kompromise me Paktin e Ahtisarit. Si mendoni se mund të arrihet marrëveshja kur palët janë në mënyrë të ngurtë të pozicionuar në qëndrimet e tyre?
Gjërat mund të duket të pamundura derisa të mos jenë më të pamundura. Krejt ka të bëjë me vullnetin politik.
Më lejoni të jem i qartë – askush nuk po i kërkon Kosovës që të vëjë në “kompromis” sovranitetin apo integritetin e saj territorial; ato çështje janë vendosur në mënyrë të qartë. Megjithëkëtë, është me rëndësi të përmbyllen këto negociata me marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim [të marrëdhënieve] të përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Të rinjtë e rajonit të Ballkanit Perëndimor po largohen nga vendet e tyre për të gjetur punë dhe mundësi diku tjetër dhe po e bëjnë këtë thjeshtë për arsye se nuk kanë mundësi të mjaftueshme në vendin e tyre. Ka ardhur koha që këtyre të rinjve t’ju jepet mundësia për ta përdorur energjinë dhe zgjuarsinë e tyre për të ndërtuar të ardhmen dhe për të përparuar në vendet e tyre. I nxisim udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës të gjejnë zgjidhje proaktive, e cila i vë në vend të parë qytetarët e tyyre dhe të kultivojnë integrimin dhe prosperitetin ekonomik evropiann duke pasur këtë gjë në mendje.
E duke iu referuar kohës, a besoni se ky proces që ka filluar dhjetë vjet më parë, do të përmbyllet me marrëveshje përfundimtare gjatë vitit 2022?
Përderisa nuk ka afat kohor për sukses, i nxisim udhëheqësit kosovarë dhe serbë të angazhohen në mënyrë urgjente, kreative dhe transparente në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Gjendja e tanishme nuk i ndihmon popullit të Kosovës apo atij të Serbisë. Ajo pengon përparimin ekonomik të ardhshëm të të dy vendeve, pengon integrimin rajonal dhe e bën tepër sfiduese për të parë ndonjë rrugë tjetër si të shkohet përpara ku të dy vendet janë plotësisht të integruara në BE dhe në institucionet e tjera euroatlantike.
Gjatë administratës Trump, ShBA-ja kishte qëndrim të hapur që nuk do të ishte kundër një marrëveshjeje nëse palët pajtohen me një marrëveshje e cila kishte mundësi të përfshinte shkëmbim të territorit. Cili është qëndrimi i administatës së presidentit Biden nëse kjo çështje kthehet si mundësi për marrëveshje përfundimtare?
Çdo marrëveshje përfundimtare dhe elementet e saj duhet të jenë të pranueshme nga populli i Kosovës dhe nga ai i Serbisë. Shtetet e Bashkuara kurrë nuk ua kanë dhe kurrë nuk do t’ua imponojnë kushtet dhe parametrat as Kosovës e as Serbisë. Të dyja, Kosova dhe Serbia, janë shtete sovrane.
E përderisa jemi te veriu i Kosovës, rishtazi qeveria refuzoi mbajtjen e referendumit të kërkuar nga Serbia në Kosovë. Qëndrimi publik i partisë në pushtet, Vetëvendosjes, është që e njëjta gjë do të bëhet edhe në zgjedhjet serbe që do të mbahen në prill. Sipas qëndrimit të ShBA-së, a duhet Kosova të ndalojë qytetarët serbë të votojnë siç kanë bërë në të kaluarën në procesin e organizuar nga OSBE-ja?
Kosova është shtet sovran. Si e tillë, ajo ka të drejtë të caktojë se me çfarë kushtesh mund të mbahen zgjedhjet e vendeve të tjera në territorin e saj. Megjithatë, ne besojmë se është me rëndësi për banorët e Kosovës me të drejtë vote në zgjedhjet serbe, të mund ta bëjnë atë. Ne i kemi mbështetur ndërmarrjet e kaluara të OSBE-së, jo vetëm për të bartur fletëvotimet, por edhe që drejtpërdrejtë të lehtësojnë procesin e votimin dhe duke e bërë këtë, të sigurojnë mbajtje të përshtatshme të tyre të pranueshme për qeverinë e Kosovës. Shtetet e Bashkuara nuk e kanë konsideruar dhe nuk e konsiderojnë këtë si kërcënim ndaj sovranitetit të Kosovë, i cili, nëse mund të shtoj, është i paprekshëm. Mirëpresim mundësinë për të diskutuar me qeverinë e Kosovës për identifikimin e zgjidhjeve dhe aranzhimeve, që janë të pranueshme për të, duke siguruar mundësinë për të votuar për ata që kanë të drejtë vote.
E kemi parë që ShBA-ja ka vënë sanksione ndaj politikanëve, biznesmenëve dhe mediave në vendet në rajon. A mund të presim që edhe në Kosovë do të ketë sanksioneve ndaj politikanëve, biznesmenëve dhe mediave?
Si praktikë standarde, nuk i parashikojmë veprimet sanksionuese. Megjithëkëtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i sanksionojnë individët apo entitetet për pikëpamjet e tyre politike. Për më tepër, nëse dikush është apo jo politikan, biznesmen ose gazetar, nuk ka rëndësi nëse do të sanksionohen apo jo. Individët sanksionohen për veprimtari kriminale, jo për shkak të profesionit të tyre. Sanksionet e fundit janë vënë ndaj aktorëve, të cilët me veprimtaritë e tyre korruptive i kanë destabilizuar komunitetet lokale, kanë gërryer besimin në qeveritë lokale dhe kanë zvogëluar prosperitetin rajonal.
Korrupsioni është plagë – jo vetëm në Ballkan, por nëpër tërë botën. Siç ka thënë presidenti Biden: „Korrupsioni është si kanceri. Është si kanceri që gërryen besimin e qytetarëve në demokraci, zbeh instinktin për inovacion dhe kreativitet; zvogëlon buxhetin tashmë të vogël kombëtar, duke penguar investimet e rëndësishme kombëtare. Shkatërron talentin e gjeneratave të tëra. I frikëson investimet dhe vendet e punës”. Për këtë arsye jemi të vendosur për promovimin e llogaridhënies dhe luftimit të pandëshkueshmërisë për ata që janë përfshirë në korrupsion të madh në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë botën. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përdorin të gjitha veglat në dispozicion, përfshirë sanksionet, për të ndëshkuar aktorët e këqij dhe destabilizues dhe organizatat dhe bizneset që i mbështesin ato.
Kryeministri Kurti ka thënë se do të vizitojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por kjo vizitë ende nuk është realizuar. A po përgatitet një vizitë e tillë këtë vit?
Kosova mbetet partnere e besueshme dhe mirëpresim forcimin e lidhjeve tona bilaterale, por tani për tani nuk kam ndonjë informatë më specifike rreth vizitave potenciale të ardhshme.
Sa ishte në opozitë, Albin Kurti pat bërë një deklaratë që është e famshme në Kosovë. Po e citoj: „Mendoj se shqiptarët nuk i duan amerikanët e as Amerikës, por mendoj se e kanë njëfarë ankthi se Amerika do të largohet një ditë”. Mundësia e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova është përfolur disa herë. A ka ndonjë mundësi që ShBA-ja në një çast do të dorëzohet, do të tërhiqet nga Kosova nëse udhëheqësia e vendit nuk do të jetë e gatshme të marrë guximin për marrëveshje, e cila do t’i kontribojë përmbylljes së problemeve në Ballkanin Perëndimor?
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin të përkushtuar ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe momentalisht nuk ka plane për tërheqjen e trupave nga Forca e Kosovës (KFOR). Përfundimisht, ne e shohim marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizim të përqendruar në njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin eventual në BE si mjetet më efikase afatgjata për të siguruar sigurinë dhe prosperitetin rajonal.
I njëjti kryeministër pat thënë se marrëveshja e 4 shtatorit nuk zbatohen për të dhe qeverinë që e udhëheq ai. A vlejnë ato zotime ende për Amerikën?
Është me rëndësi që si Kosova, ashtu edhe Serbia, t’i respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e mëhershme. Kjo përfshin zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme të Brukselit për ta çuar përpara dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Si Kosova, ashtu edhe Serbia janë pajtuar me Zotimet e Uashingtonit dhe kur të zbatohen, ato mund të ofrojnë përfitime afatgjata ekonomike për qytetarët e të dy vendeve.
Raporti i Departamentit të Shtetit dhe Raporti i Progresit vlerësojnë se Kosova ka nivel të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Si e vlerësoni punën e qeverisë Kurti për luftimin e krimit dhe korrupsionit?
Luftimi i korrupsionit është prioritet kryesor i administratës së Biden-it. E di se gjithashtu është prioritet kryesor i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, Hovenier dhe ekipit të tij këtu në Prishtinë dhe është prioritet që e ndajnë me qeverinë Kurti. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me qeverinë e Kosovës, partnerët e shoqërisë civile, mediat e pavarura dhe qytetarët për të mbështetur përpjekjet për luftimin e krimit të organizuar, për çrrënjosjen e korrupsionit dhe forcimit të institucioneve të pavarura të sundimit të ligjit.
Në letrën e Sekretarit të Shtetit, Blinken, kryeministrit Kurti i kërkohet që Kosova do të duhej të zbatojë vendimet e gjykatës, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave. Sa e kuptojmë ne, ka të bëjë me një vendim të vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese në të mirë të Manastirit të Deçanit, me të cilin vendoset që 24 hektarë tokë i takojnë manastirit. A pritni që Kosova ta përmbushë këtë kërkesë të Shtëpisë së Bardhë?
Qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe këmbëngulës: ky rast ka të bëjë me sundimin e ligjit, jo etninë, politikën apo fenë. Vazhdojmë t’i bëjmë thirrje qeverisë që ta zbatojë vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese dhe ta regjistojë tokën. Qeveria Kurti është zgjedhur në bazë të platformës të fokusuar në forcimin e sundimit të ligjit. Respektimi i vendimeve gjyqësore nuk është çështje që mund të zgjedhësh dhe sigurisht nuk është çështje e negociatave, politikëbërjes apo ujdive.
Në fund të vitit të kaluar, situata në Bosnje dhe Hercegovinë u vlerësua si e rënduar politikisht, por pati edhe paralajmërime për përshkallëzimin e saj në konflikt të armatosur, pasi udhëheqësit e Republika Sërpska njoftuan krijimin e një ushtrie të saj, e cila do të çonte drejt shkeljes së shkeljen e Marrëveshjes së Dejtonit. Si e sheh administrata amerikane zgjidhjen e problemit në Bosnjë dhe Hercegovinë?
Për 25 vjet, Dejtoni ka mbajtur paqen në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe ShBA-ja mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të nxisin për zgjidhje diplomatike të krizës së tanishme politike dhe kthimin e partive serbe të Bosnjës në institucionet e nivelit shtetëror. Fakti është se korrupsioni dhe ngjarjet aktuale në Bosnjë dhe Hercegovinë po i dëmtojnë të gjithë popujt konstituivë dhe po parandalojnë realizimin e plotë të një ekonomie më të fuqishme dhe më të begatë në vend.
Në vend se të kaloj kohën duke u marrë me zyrtarët e korruptuar, më me dëshirë do të shihja ShBA-në duke shpenzuar energjinë tonë në rritjen e ndërgjegjësimit për talentin dhe potencial e jashtëzakonshëm ekonomik të Bosnjës dhe Hercegovinës. Shpresoj që udhëheqësit e Bosnjës dhe Hercegovinës të pajtohen se përqendrimi në nevojat e popullit të tyre është më i rëndësishëm se shënimi i pikëve politike ose pasurimi e përfitimi personal.
Në mënyrë të pashmangshme jemi të interesuar t’ju pyesim për situatën e fundit të krijuar në Ukrainë dhe lidhjen eventuale të saj me situatën në Ballkanin Perëndimor. A ka rrezik që një konflikt atje të ndërhyjë në problemet e pazgjidhura në rajonin tonë?
Vazhdimisht kemi folur për dy rrugët që Rusia mund t’i zgjedhë: dialogun dhe diplomacinë apo përshkallëzimin dhe pasojat masive. Gjatë javëve të shkuara, e keni parë që kemi bërë përpjekje të njëmendta dhe të sinqerta për të arritur te zgjidhja diplomatike. E kemi bërë të qartë se kjo rrugë ofron zgjidhje të qëndrueshme për shqetësimet e sigurisë të Shteteve të Bashkuara, aleatëve dhe partnerëve tanë, si dhe të Rusisë.
E kemi bërë të qartë se çfarëdo dialogu duhet të adresojë shqetësimet tona rreth veprimeve të Rusisë dhe duhet të mbahet në bashkërenditje të plotë me aleatët tanë të NATO-s dhe partnerët evropianë. Të gjitha vendet kanë të drejtë të vendosin vetë për të ardhmen e tyre dhe politikën e tyre të jashtme pa ndërhyrje të jashtme.
Vendimi i administratës së Biden-it për sanksionimin e ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës, e ka shtyrë këtë parti në krizë të thellë. Berisha po pretendon eliminimin e kryetarit aktual, Lulzim Basha dhe rikthimin e tij në krye të partisë. Cili do të jetë qëndrimi amerikan nëse demokratët shqiptarë të vendosin ta ndjekin këtë rrugë?
Presidenti Biden e ka bërë të qartë. Sekretari Blinken e ka bërë të qartë. Shtetet e Bashkuara do t’ju kërkojnë llogari të gjithë atyre njerëzve për angazhim në vepra të mëdha të korrupsionit ose në përpjekje për minimin e demokracisë anembanë botës dhe në mënyrë specifike në Ballkanin Perëndimor. Nuk është normale dhe nuk është e pranueshme që një person, i sanksionuar për vepra të mëdha të korrupsionit të jetë fytyra e ndonjë partie. Dhe në këtë aspekt, e kemi bërë të qartë që nëse Partia Demokratike ose ndonjë parti tjetër udhëhiqet apo përfaqësohet nga ndonjë person, i sanksionuar nga Sekretari i Shtetit për vepra të mëdha të korrupsionit, atëherë nuk mund të pritni marrëdhënie normale.