Shpërthim në qendrën e kurseve në Tiranë, çfarë dyshon policia

Policia njoftoi sot me një deklaratë të shkurtër për mediat mbi një zjarr të rënë në një qendër kursesh për fëmijë në rrugën “Thoma Koxhaj” në Tiranë duke mos dhënë detaje të tjera mbi shkaqet dhe dëmet e shkaktuara.

Por ngjarja duket të jetë më e rëndë se një zjarr. Një burim i tha abcnews.al se bëhet fjalë për një sulm me lëndë shpërthyese ndaj kësaj qendre kursesh. Kur kanë shkuar zjarrfikësit kanë gjetur derën e qendrës së kurseve disa metra tej bashkë me xhamat e ambientit, duke bërë që të dyshojnë se fillimisht ka ndodhur një shpërthim dhe më pas ka rënë zjarri.

Kjo vërtetohet edhe nga pamjet që ka siguruar abcneWs.al nga momenti kur në vendin e ngjarjes kanë mbërritur zjarrfikësit për shuarjen e flakëve.

Për fat të mirë bëhet fjalë për dëme materiale, ndërsa policia po heton për shkaqet e këtij sulmi. Një ndër pistat është edhe ngatërrimi i objektivit pasi nga verifikimet që ka bërë policia deri më tani rezulton të mos kenë konflikte as pronari i këtij ambienti dhe as pronari i biznesit.


Shtuar 18.01.2022 13:52