Klubet e Premier League që do të vuajnë më së shumti për shkak të Kupës së Afrikës

Për të përshkruar se sa të vështirë do ta ketë Liverpooli gjatë Kupës së Afrikës, duhet përmendur që asnjë dyshe e sulmit në Premier League nuk i afrohet Mohamed Salahut dhe Sadio Manes sa u përket goditjeve në portë këtë edicion.

Salah (76) dhe Mane (59) kanë pasur tentime më shumë se çdo lojtar tjetër, ndërsa si dyshe janë shkëputur shumë me të tjerët. 95 goditje i kanë Michail Antonio dhe Jarrod Bowen të West Hamit. Trajneri Juergen Klopp ishte përfituesi më i madh kur Kupa e Afrikës kaloi në sezonin veror në vitin 2019, kështu që ai do të humbasë më së shumti kur turneu i shtyrë të kthehet në mes të edicionit, përkatësisht muajin e ardhshëm në Kamerun.

Ndërsa Manchester City po largohet nga rivalët në garën për titull, Klopp do të duhet të përballojë periudhën prej një muaji pa dy sulmuesit kryesorë.

Konfederata e Futbollit Afrikan (CAF) vendosi që lojtarët mund të qëndrojnë me klubet e tyre deri më 3 janar, por kjo do të thotë se Salah e Mane ende mund ta humbasin gjysmëfinalen e Kupës EFL kundër Arsenalit dhe ndeshjet e Premier Leagues ndaj Brentfordit dhe Crystal Palace. City do të humbasë Riyad Mahrezin, i cili mbron titullin e Afrikës me Algjerinë, por forma e kampionit në fuqi të Anglisë do të thotë që Pep Guardiola nuk e sheh humbjen e tij më të madhe se mungesat e lojtarëve të tjerë shkaku i lëndimeve apo suspendimeve. City prin në tabelë me tetë pikë më shumë se vendi i dytë dhe këtë edicion po luan pa sulmues tipik. Skuadra ka treguar formë fantastike, pavarësisht se Kevin De Bruyne vuan nga pasojat e Covidit dhe nuk është i përgatitur fizikisht.

“Më mungojnë të gjithë lojtarët, por sikurse që kam pritur të tjerët të kthehen nga lëndimet do ta pres edhe Mahrezin të kthehet nga Kupa e Afrikës dhe shpresoj të jetë në formën më të mirë”, ka thënë Guardiola.

Chelsea po përpiqet gjithashtu të mbajë ritmin në garën për titull. Londinezët do ta humbasin vetëm një lojtar për Kupën e Afrikës, por mungesa e tij do të jetë shumë e madhe. Portieri Edouard Mendy do të jetë pjesë e Senegalit.

Thomas Tuchel ka pritur që edhe Hakim Ziyech të luante në këtë turne, por sulmuesi i krahut nuk është përfshirë te Përfaqësuesja e Marokut.

Në anën e poshtme të tabelës, Burnley do të humbasë transferimin e verës Maxwel Cornetin, i cili ka qenë sulmuesi më i mirë i ekipit këtë sezon, gjë që mund të jetë një goditje nëse skuadra e trajnerit Sean Dyche luan ndeshjet e shtyra gjatë Kupës së Afrikës.

Në fakt 33 lojtarë nga klubet e Premier Leagues do të marrin pjesë në Kupën e Afrikës. Liverpoolit do t’i mungojë edhe mesfushori Naby Keita krahas dyshes sulmuese Salah – Mane. Më së shumti lojtarë të përfshirë në këtë turne do të ketë skuadra e Watfordit, gjithsej pesë: Adam Masina e Imran Louza (Maroku), Emmanuel Dennis e William Troost-Ekong (Nigeria) dhe Ismaila Sarr (Senegali).

Skuadrat si Arsenali, Leicesteri e Crystal Palace do t’i kenë nga katër lojtarë në garën kontinentale.


Shtuar 30.12.2021 21:11