Liverpool nuk humbiste në kampionat prej shtatë javësh. Ekipi i Jurgen Klopp u mposht 1-0 nga Leicester City në një ndeshje ku Momo Salah humbi një penallti në pjesën e parë.
Disfata e dytë sezonale në Premier League për “The Reds”, të cilët renditen në vend të dytë me 6 pikë më pak se Manchester City. Jurgen Klopp foli pas ndeshjes me “Dhelprat”, ku ndër të tjera tha:
“Nuk më pëlqeu fare paraqitja jonë, luajtëm një ndeshje shumë të çuditshme. Krijuam raste, ndërsa ata shënuan golin. Shkaku i humbjes është i thjeshtë: nuk bëmë aq sa duhet për të mposhtur Leicester City.
Ata e merituan fitoren. U bënë disa performance nën nivelin normal. Është detyra ime t’i kuptoj këto lloj gjërash përpara fillimit të ndeshjeve. Kush lojtar është në formë dhe kush jo.
Shumë herë këta djem më kanë dhënë mundësinë të them: ‘Wow, çfarë ndeshje’. E them përsëri ‘wow’, por në mënyrë krejtësisht të kundërt.
Nuk pashë asgjë të bukur ndaj Leicester. Nuk dukeshim sikur ishim ne, kjo është padyshim e vetmja gjë për të cilën duhet të mendojmë dhe të ndryshojmë menjëherë”, deklaroi Klopp. /albeu.com