Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve kërkon qartësim të ligjit të dekriminalizimit. Në një intervistë, Ilirjan Celibashi shprehet se nisma duhet amenduar për të shmangur interpretimet kur bëhet fjalë për ndërprerjen e mandatit.
A përbën shpallja “non grata” shkak për të humbur mandatin e deputetit?
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi është i mendimit se ligji për dekriminalizimin nuk e ka të specifikuar qartë këtë çështje. Ndaj dhe në intervistë ai sugjeron ndërhyrje ligjore që do të shmangnin interpretimet e debatet në zbatim.
“Ndoshta disa përkufizime në lidhje me kushtet e ndalimit. Duhet të ketë qartësi më të madhe në kodin zgjedhor në mënyrë që të mos jenë pjesë e diskutimeve apo interpretimeve sipas interesit politik apo interesave të tjera”, shprehet Celibashi.
Ligj i dekriminalizimit është cilësuar nga juristët si tepër i rëndë, por për drejtuesin e KQZ, efektet e tij kanë qenë pozitive.
“Në tërësi ky ligje ka justifikuar qëllimin edhe pse secili prej nesh ka kriticizmin e vet se sa proporcional është ky ligj për të patur institucione përfaqësuese të pastra në kuptim të përbërjes së tij”, shtoi Celibashi.
Debati për ndërprerjen e mandatit parlamentar të deputetëve të shpallur “non grata” nisi me rastin e Tom Doshit, kur PD i kërkoi zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mos kandidimin e tij në zgjedhjet e prillit të kaluar. Kjo kërkesë u mbështet edhe nga anëtarja e PD-së në KQZ, Helga Vukaj, por debati u mbyll me dorëheqjen e vetë kreut të Partisë Socialdemokrate.
E njëjta situatë tashmë është krijuar me Sali Berishën, por duket se pa një qartësim ligjor mbi këto raste, KQZ nuk ka ndërmend të ndërhyjë./albeu.com/