Policia ka nisur menjëherë nga puna për të kryer verifikimet përkatëse, pas denoncimit të deputetit Belind Këlliçi se në zyrat e selisë së Partisë Demokratike ka pasur persona të armatosur dhe se atij i janë vjedhur sende personale.
“Blutë” kanë administruar të gjitha materialet që pretendohen se mund të shërbejnë për të hetuar në lidhje me denoncimin e bërë.
Burime nga policia bëjnë me dije se është nisur kërkesë zyrtare për dorëzimin e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, pamje të cilat edhe pse kanë kaluar dy ditë, ende nuk janë dorëzuar dhe pritet të administrohen zyrtarisht.
Policia nuk ka marrë ende persona në pyetje pasi denoncimi i Këlliçit nuk i referohet emrave konkretë. Në vazhdim, bashkë me prokurorinë pritet të vijohet me hetimet për ngjarjen.
Kujtojmë se Këlliçi e bëri denoncimin gjatë hyrjes në selinë e Partisë Demokratike të Sali Berishës me mbështetësit e tij./albeu.com/