Momenti i diellit, kriza e energjisë rikthen vëmendjen te fotovoltaikët

Vëmendja për energjinë fotovoltaike u duk se u zbeh disi vit pas viti që nga 2017, kur u miratua ligji “Për burimet e rinovueshme”. Shkak për këtë u bënë disa vonesa në aktet nënligjore. Kriza e fundit e energjisë e ktheu sërish fokusin, duke e bërë këtë “momentin e diellit”. Bizneset, sidomos ato në tregun e lirë, po instalojnë me shpejtësi impiante për të ulur barrën e faturës së energjisë, ku një kilovat u kushton mes 20-25 lekë/kwh. Kompanitë që operojnë në shitjen dhe instalimin e impianteve raportojnë për një rritje mes 35-60% të kërkesës në muajin e fundit. Ato i kërkojnë qeverisë që të rishikojë ligjin, duke aplikuar jo më matjen mujore, por atë vjetore si një formë për të nxitur investimet për vetëprodhim. Kërkesa e lartë rrezikon të krijojë globalisht një hendek me mundësinë për furnizim me panele, ndërkohë që kostot janë rritur edhe si efekt i lëndëve të para dhe ndikimit të Kinës. Në lidhje me diversifikimin, Ministria e Energjisë deklaron se janë disa projekte por sa u takon fotovoltaikëve. Impianti i Karavastasë nis ndërtimin në pranverën e 2022. 

 

Nga Nertila Maho

Vendit i është dashur të blejë në tregun e lirë 213 milionë euro energji për të plotësuar konsumin nga janari në nëntor. Kjo është shifra e akumuluar e ankandeve të zhvilluara nga Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL), pjesë e OSHEE Group, që është detyruar të blejë me kosto të frikshme prej 220-300 euro megavat/orë për shkak të krizës.

Sipas të gjitha pritshmërie, kriza nuk do të jetë kalimtare, me vlerësime që parashikojnë çmime të kripura të paktën për dy vjet. Situata ka nxitur sidomos bizneset në tregun e lirë të gjejnë forma alternative, për të ulur barrën e faturave të larta të energjisë që luhaten mes 20-25 lekëve për kilovat/orë

Në valën e këtyre zhvillimeve, një prej sektorëve që po njeh rritje të shpejtë, sidomos muajt e fundit, është ai i fotovoltaikëve. Pas zbehjes së shkëlqimit fillestar afatshkurtër, që nisi me një ligj të miratuar në vitin 2017 “Për burimet e rinovueshme të energjisë”, i cili u zvarrit nga aktet nënligjore të munguara, energjia diellore duket se po përjeton një moment të ri, këtë herë e nxitur nga kriza.

 

Ndërtimi i impiantit në Karavasta nis në pranverën e vitit 2022

Pavarësisht se kanë kaluar disa vite nga miratimi i ligjit, kapaciteti i instaluar i impianteve fotovoltaikë në vend mbetet i ulët dhe prodhimi, në shifra modeste. Arsyeja është se në ligj ka ende disa aspekte të cilat, nëse do të rregulloheshin, do ta bënin investimin më të leverdishëm sidomos sa i takon vetëprodhimit.

Dy kontratat e mëdha që janë lidhur me Voltalian për një impiant në Spitallë dhe një në Karavasta, me kapacitete të instaluar përkatësisht 100 MW dhe 140MW nuk kanë nisur ende procesin e ndërtimit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se aktualisht, kontratat janë në faza të ndryshme.

“Në lidhje me ecurinë e projektit fotovoltaik 140 MW, që po zhvillohet nga shoqëria Voltalia, në Karavasta, shoqëria në bazë të kushteve të kontratës ka depozituar në Ministri garancinë e kontratës prej 6 milionë eurosh, ka marrë lejen mjedisore të projektit, ka finalizuar marrëveshjen e transmetimit me OST, si dhe lejen e ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Aktualisht, shoqëria ka finalizuar projektin e linjës së transmetimit të këtij impianti dhe po evidenton pronat që preken nga ndërtimi i linjës së transmetimit. Shoqëria ka ecur në përputhje me parashikimet e kontratës dhe pritet fillimi i ndërtimit të impiantit në pranverën e vitit 2022.

Për sa i përket projektit fotovoltaik 100 MW, në Spitallë, Ministria dhe Voltalia po bashkëpunojnë për kalimin e pronave të projektit, si dhe për realizimin e kushteve për bërjen efektive të kontratës. Afati i pritshëm është muaji nëntor 2021” – thotë Enea Karakaçi, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave dhe Zhvillimit të Energjisë dhe Industrisë në MIE.

Prodhimi nga fotovoltaikët, në nivel modest, 0.5% e totalit 

Të vetmit që po prodhojnë energji diellore janë ato koncesione deri në 2MW që janë dhënë me firmë ministri, sipas parashikimeve ligjore dhe që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duhet t’ju blejë prodhimin sipas një çmimi të caktuar nga ERE, i cili nga 100 euro/MWh është rishikuar gradualisht drejt 70 euro/MWh.

Sipas të dhënave të fundit të raportuara nga Enti Rregullator i Energjisë për ecurinë e sektorit, deri në shtator 2021, prodhimi i energjisë nga fotovolatikët për 9 muaj ishte pak më shumë se 34 mijë Mwh, çka përbënte më pak se 0.5% të prodhimit total të energjisë. Zyrtarisht nuk ka të dhëna mbi prodhimin nga fotovoltaikët që bëhet nga impiantet e instaluara për vetëkonsum.

Këto impiante kanë kapacitet deri në 500kWp dhe energjia konsumohet për nevojat e vetë biznesit apo individit. Pikërisht ky segment po përjeton rritjen më të lartë këta muaj për shkak të krizës. Janë kryesisht biznese në treg të lirë, të lidhur në 35 kilovolt, por edhe biznese në tensionin e mesëm, të cilët nga janari do të duhet ta sigurojnë vetë energjinë sipas deklarimit të bërë zyrtarisht nga qeveria.

 

Dalja në treg të lirë e 7 mijë bizneseve përshpejton investimet për vetëprodhim 

Të paktën 7 mijë biznese do të dalin në tregun e lirë nga janari 2022. Sipas ligjit, kjo duhet të kishte ndodhur më parë, por ishte e pamundur për shkak të kushteve teknike.

Qeveria ka vendosur që dalja të bëhet në kulmin e krizës energjetike, duke i ekspozuar bizneset ndaj kostove të jashtëzakonshme që pritet të kenë një efekt zinxhir në koston e tyre të prodhimit dhe më pas koston me të cilën siguron produktin konsumatori. Kompanitë e instalimit të impianteve fotovoltaike e cilësojnë krizën energjetike nxitësen kryesore të projekteve që bizneset po zbatojnë për të ulur disi koston e energjisë.

“Situata ka ndryshuar kryekëput. Vetëm muajin e fundit, kemi pasur rritje të kërkesës me 60% për projekte fotovoltaike. Janë kryesisht biznese që po shohin mundësinë për të përballuar krizën, e cila ka rritur në mënyrë të jashtëzakonshme çmimet e energjisë në tregje. Nuk janë vetëm biznese në treg të lirë, por edhe biznese në tregun e rregulluar, por që e shohin me leverdi këtë formë investimi. Sa i takon profilit, në përgjithësi janë agropërpunim dhe industri” – pohoi Armand Skuqi, administrator i kompanisë Solares.

Në të njëjtën linjë është edhe përfaqësuesi i kompanisë EuroElektra, Anduel Çekrezi, i cili shprehet se pas një interesi konstant deri para fillimit të krizës, kompanitë që ofrojnë instalimet tani po përballen me kërkesë e cila është e vështirë për t’u përballuar.

“Kjo do të thotë më shumë mundësi për të punuar, por nga ana tjetër, përballemi me një kërkesë ku nuk e kemi kohën e mjaftueshme për ta përpunuar të gjithën. Në fakt, kjo vjen edhe si pasojë se shumica e bizneseve nuk e kanë menduar mirë se duhej të kishin diversifikuar burimet e energjisë elektrike më parë se të arrinte kjo situatë. Sot nuk do të ishin nën presionin e rritjes së çmimit të energjisë, por edhe të rritjes së çmimit të impianteve fotovoltaike për shkak të kërkesës” nënvizon Çekrezi.

Më të interesuar në përgjithësi mbeten bizneset e mëdha dhe kjo lidhet me kthimin e shpejtë të investimit sipas CEO-s së Vega Solar, Bruno Papaj.

“Momentalisht kemi pasur rritje interesi nga të gjithë, por më kryesoret janë bizneset e mëdha, pasi kanë shpenzime të mëdha nga konsumi i lartë i energjisë. Kthimi i investimit për bizneset është shumë i shpejtë, 3-4 vjet, por duke marrë në konsideratë rritjen e çmimit të energjisë, pritet që koha e kthimit të investimit të arrijë deri në 2-3 vjet. Panelet fotovoltaike kanë një garanci prodhimi prej 25 vjetësh, çfarë i bën shumë tërheqës në sytë e një investitori, i cili do të rrisë kursimet për të paktën 21 vjet. Është i kuptueshëm interesimi i lartë” – tha ai.

 

Bilanci mujor mbetet pengesë, kërkohet të bëhet vjetor, të rishikohet burokracia

Të gjithë vetëprodhuesit, të cilët instalojnë një impiant, mundet që tepricat t’i hedhin në rrjet, duke i marrë ato pas në momentin kur iu nevojitet, por kjo duhet të bëhet brenda muajit. Pikërisht mënyra sesi bëhet bilanci cilësohet penalizues për bizneset, ku kompanitë që bëjnë instalimet si grup interesi kanë kërkuar zyrtarisht që bilanci të jetë vjetor. Kjo do të thotë që, nëse një biznes prodhon më shumë sesa konsumon në verë, për shkak se dita është më e gjatë dhe rrezatimi më i mirë, këtë tepricë ai mund ta tërheqë në dimër, kur të ketë nevojë për më shumë konsum.

Ligji e ka përcaktuar që matja të bëhet në bazë mujore. Matja, nga ana tjetër, krijon një handikap, pasi përjashton gati 35% të biznesit nga skema. Për shembull, një hotel që punon në dimër dhe energjinë e konsumon në dimër nuk ka asnjë interes që të instalojë një impiant, pasi në verë kur është edhe maksimumi i prodhimit prej gjatësisë së ditës, ai është i mbyllur.

Me sistemin aktual të matjes, do të rezultonte që e gjithë energjia e prodhuar nga bizneset e mësipërme gjatë verës, kur nuk kanë mundësi ta konsumojnë, të sillte përfitim zero” – shprehet z. Skuqi. Thuajse të gjithë kompanitë nënvizojnë njëzëri se matja vjetore do të nxiste më shumë investimet, pasi bizneset do ta shihnin më të leverdishëm këtë sistem.

Një tjetër problematikë e kompanive janë burokracitë për sigurimin e lejeve.

“Një tjetër ndryshim është krijimi i një platforme online, për të aplikuar për lejen për lidhjen me rrjetin. Thjeshtësimi i procedurave për impiantet e vogla do të përshpejtonte ndjeshëm procesin e punës. Me procedurat e tanishme, koha dhe mundimi për marrjen e lejeve është e njëjtë si për një impiant me fuqi 3 kWp dhe për një impiant me fuqi 300 kWp. Jo çdo politikë që përdoret në shtetet e tjera është e vlefshme dhe për vendin tonë, prandaj ne kemi listuar propozimet në bazë të kushteve të Shqipërisë” pohon z.Papaj.

Disbalancat, që nënvizohen shpesh nga OSHEE për lidhjen e impianteve në rrjet, cilësohen një shqetësim i drejtë në aspektin teknik nga kompanitë. Prodhimi aktual, sipas tyre, mbetet ende i ulët dhe vetëm humbjet janë 22% në rrjet, çka do të thotë se ka tolerancë.

Një tjetër kërkesë është ajo për rritjen e kapacitetit të instaluar ku nga 500 kWp aktualisht të shihet mundësia për ta çuar deri në 1MW, pasi nevojat e bizneseve për konsum energjie variojnë nga lloji i aktivitetit të tyre.

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës aktualisht është në fazë rishikimi të ligjit por ende nuk ka një draft publik se ku konsistojnë ndryshimet sidomos sa i takon pikës që ka të bëjë me bilancin e tepricave, nëse do të mbesë mujor apo do të bëhet vjetor.

“Ministria është në fazë të avancuar të rishikimit të ligjit për burimet e rinovueshme. Në bashkëpunim me Sekretariatin e Energjisë, si dhe operatorët publikë dhe privatë të interesuar në këtë proces, po shikohet mundësia për adresimin e kësaj çështje, sipas praktikave më të mira të industrisë në BE” nënvizoi z.Karakaçi./monitor

 


Shtuar 27.11.2021 07:35