I riu rrëfen si e qëlluan me armë pas sherrit në Kamëz: Çfarë ke me gruan time?!

Një incident i vogël në dukje me makinë mes një kalimtari dhe një drejtueseje automjeti, është bërë shkak për një ngjarje e cila për pak sa nuk u kthye në një tragjedi.

Sherri verbal mes protagonistëve, vijoi me përdorimin e armës së zjarrit, që për pak i kushtoi jetën një 23-vjeçari ,i cili për të shpëtuar jetën, vrapoi sa mundi dhe kur aty mbërriti policia e Kamzës, ai së pari u përpoq të mos fliste dhe të mos tregonte çastet e tmerrit.

Veprimi që i vuri jetën në rrezik, ishte pikërisht reagimi spontan ndaj një automjeti që po qarkullonte me shpejtësi tej normave të lejuara. Nervat e kalimtarit nuk janë toleruar dhe janë shoqëruar me nevrikosje ekstreme nga bashkëshorti i shoferes.

Sipas burimeve, E. S i moshës 32 vjeç, nga fshati Surroj i Kukësit dhe tanimë nën gjendje arresti dhe në pritje për të dalë para gjykatës, kur mori vesh se një qytetar kishte reaguar jo qetësisht, pasi gruaja e tij për pak e kishte përplasur me makinë, mori armën dhe erdhi nga Paskuqani.

Përpara se ta qëllonte me pistoletë, ai madje e pyeti siç rrëfen i mbijetuari, duke deklaruar: “Çfarë kishe me gruan time”?.

Nën arrest për akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë, armëmbajtjes pa leje dhe prishje të rendit dhe qetësisë publike, i riu, sipas policisë është shfaqur i penduar pas ngjarjes. Por tepër vonë.

Rrëfimi i të plagosurit

23-vjecari I.I., po shëtiste në këmbë në bulevardin e Bathores me drejtim drejt Kamzës. Ai gjendej nën shoqërinë e dy miqve të tij.

“Në këtë drejtim, me destinacion Institutin, kur gjendeshim tek trafik-ndarësja , një automjet me ngjyrë të zezë për pak na shtypi. U tremba nga manovrimet e shoferit, iu afrova makinës dhe kur pashë që shoferi ishte grua e pyeta: çfarë bën, se për pak na shtype”, – thotë në polici i riu që iu rrezikua jeta.

Në nerva e sipër, i riu me inicialet I.I., shfryu, duke qëlluar me shkelma gomat e makinës.

“Por shoferja më tha, mbaji mend këto targa se çfarë kam për të të bërë…”, – shton me tej I.I., duke dhënë shpjegime mbi konfliktin verbal. Makina ka vijuar qarkullimin, ndërkohë që tre të rinjtë kanë vazhduar të ecin në këmbë me drejtim për në Kamëz, jo vetëm për të shëtitur, por edhe për të pirë kafe.

“Së bashku me shokët D.H., dhe S.S., ishim në trotuar. Aty u afrua një makinë “Opel Zafira” me ngjyrë jeshile dhe brenda kësaj makine gjendej një djalë i ri i moshës gati 30 vjeç. Ky person që unë e njoh, se punon në ‘e..A’ dhe më pas mësova se si quhet, më pyeti: çfarë kishe me gruan time”?. Më pas ai ka qëlluar me armë zjarri, duke rrezikuar jetën e 23-vjeçarit.

Policia thotë se i riu u ndoq nga burri i armatosur për gati 50 metra, teksa shenjestra u përpoq që t’i shpëtonte dhe pikërisht vrapimi e shpëtoi nga vdekja, shkruan Gazeta Si.

Më pas, duke qenë se nga të shtënat qytetarët kërkuan ndërhyrjen e patrullave policore, kur ekspertët këqyrën skenën e krimit dhe sekuetsruan gëzhojën, 23-vjeçari i mbijetuari u përpoq të mos tregonte se çfarë i ndodhi. I shoqëruar në komisariat, më pas ai pranoi të tregojë.


Shtuar 22.11.2021 20:11