Osmani: Tejkaluam krizën paszgjedhore, dështoi tentativa për grusht shteti

Shefi i diplomacisë Bujar Osmani, gjatë një vizite pune në Bruksel, në një intervistë për “Agjenci Evropa” tha se hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do t’i mundësojë BE-së të ruajë kredibilitetin e saj në rajon, që aktualisht është nën presion.

Në lidhje me shanset për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare në dhjetor, Osmani tha se “pas angazhimit konstruktiv që kemi treguar në këtë periudhë, si dhe duke marrë parasysh pasojat për besueshmërinë e BE-së dhe stabilitetin e rajonit, Bullgaria do të heqë veton dhe do të mund të fillojmë këtë proces të gjatë të anëtarësimit në BE, i cili është një nga proceset më të kontrolluara”.

Mund të shpjegoni se çfarë po ndodh në vendin tuaj?

“Kemi arritur ta kapërcejmë krizën e vogël politike që ndodhi pas zgjedhjeve lokale. Kryeministri njoftoi dorëheqjen e tij, e cila krijoi hapësirë për manovra politike, duke përfshirë disa ndikime të jashtme malinje që nxitën formimin e një mazhorance të re, të paktën në letër, e cila mund të rrezikonte jo vetëm stabilitetin politik, por edhe orientimin strategjik të këtij vendi. Ajo tentativë “grusht shteti” dështoi.

Aktualisht, qeveria vazhdon të punojë për të realizuar synimet tona strategjike dhe për ta afruar vendin me BE-në. Ne po punojmë për të rritur shumicën për të siguruar një stabilitet më të madh politik sepse përballemi me shumë sfida dhe mundësi; sfidat në përballjen me pandeminë dhe pasojat e saj socio-ekonomike, por edhe krizën energjetike, si dhe mundësitë në lidhje me perspektivat për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në dhjetor dhe përparimin në mosmarrëveshjen që kemi me Bullgarinë.Mendoni se pas zgjedhjeve të së dielës në Bullgari do të jetë e mundur të vazhdohet?

Të paktën do të ketë stabilitet politik dhe parashikueshmëri. Të kesh një qeveri teknike për kaq shumë kohë nuk ka ndihmuar në zgjidhjen e problemit. Shpresojmë që së shpejti të formohet një qeveri politike që të mund të angazhohemi në bisedime thelbësore dhe të kapërcejmë mosmarrëveshjet.

Nuk e ndalëm kurrë komunikimin me qeverinë teknike. Ne do të vazhdojmë gjatë këtij muaji, përballë kësaj dritareje mundësie më 14 dhjetor, përpara Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme.

Shpresoj që të gjithë të jenë të fokusuar dhe konstruktiv, sepse është në interes të Bullgarisë, stabilitetit të rajonit dhe veçanërisht Bashkimit Evropian që të ruajë besueshmërinë e tij në rajon dhe si një lojtar global.Përfaqësuesja e Lartë e BE-së shpreson të ketë konferencat e para ndërqeveritare në dhjetor. A mendoni se kjo është e vërtetë?

Njëzet e gjashtë vende janë të përkushtuara për të mbajtur sa më shpejt Konferencën e Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe Bullgaria ka vënë veton ndaj dallimeve që kemi.

Shpresoj që pas angazhimit konstruktiv që kemi treguar në këtë periudhë, si dhe duke marrë parasysh pasojat për besueshmërinë e BE-së dhe stabilitetin e rajonit, Bullgaria do të heqë veton dhe ne mund të fillojmë këtë proces të gjatë të anëtarësimit në BE, i cili është një nga proceset më të kontrolluara. Kështu, Bullgaria do të vazhdojë të ketë fuqinë e saj mbi procesin.Në një deklaratë të përbashkët, kryeministri juaj, kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Serbisë bënë thirrje për një bashkëpunim më të madh me BE-në në pritje të anëtarësimit në BE. A mendoni se kjo është një gjë e mirë apo mund të jetë një alternativë ndaj mungesës së zgjerimit?

Ne duhet të ndajmë fillimin e procesit të anëtarësimit dhe rezultatin përfundimtar të tij.

Disa njerëz gabimisht e shohin këtë si një proces të pandashëm. Fillimi i procesit është mënyra më e lirë për Evropën për të qenë aktive dhe e angazhuar në rajon. Ai mbron rajonin, e mbron atë nga ndikimet e jashtme, por në të njëjtën kohë nuk do të thotë se të gjitha vendet që fillojnë negociatat e anëtarësimit do të bëhen anëtare.

Dhe këtu, mendoj se qëndron problemi. Frika mes evropianëve është se vendet që nuk janë gati t’ju bashkohen do të vijnë dhe do ta komplikojnë më tej sistemin tashmë të komplikuar të Bashkimit Evropian. Popullit tonë nuk i interseson e drejta e vetos në Bashkimin Evropian apo për të pasur një politikan tjetër në të ardhmen, respektivisht komisioner, ajo që na intereson është lëvizshmëria, aksesi në arsim, kredi dhe fonde.Harrojeni rezultatin përfundimtar dhe përqendrohuni te fillimi dhe tek vetë procesi; rëndësi ka procesi, i cili sjell evropianizimin e vendit. Rezultati përfundimtar do të vijë si një hap logjik kur vendet e rajonit të bëhen evropiane. Pranimi zyrtar do të jetë më pak i rëndësishëm për Evropën dhe për ne.A mendoni se BE-ja ka humbur besueshmërinë në vendin tuaj dhe në rajon?

Mendoj se ai është në proces të humbjes. Dhe testi litmus për këtë është dosja e Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e Veriut i përmbushi të gjitha kriteret e mundshme dhe madje shkoi edhe më tej, dhe kjo dosje nuk u njoh dhe nuk u shpërblye. Pra, në sytë e qytetarëve të rajonit, nëse nuk funksionoi për ne, pse do t’ia dilnin?

Prandaj, nëse kredibiliteti i BE-së dështon, ajo do të dështojë për shkak të rastit të Maqedonisë së Veriut.

Së dyti, ndërsa ideja evropiane është një biletë fituese dhe bileta fituese gjatë zgjedhjeve në rajon është pozitive, por në momentin që ajo fillon të humbasë forcën e saj si biletë fituese, atëherë do të kemi retorikë nacionaliste dhe do të menaxhojmë krizat, në vend që të menaxhojmë me të ardhmen dhe të ardhmen evropiane të rajonit.

Rivendosja e këtij kredibiliteti kërkon lejimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të filluar negociatat e pranimit. Ky është investimi më i lirë që BE-ja mund të bëjë për ta mbajtur këtë rajon në rrugën e duhur.Situata në rajon për momentin është mjaft e ndërlikuar (Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi/Kosovë). A jeni i shqetësuar për këtë?

Po, ne e ndjekim këtë nga afër. Ajo që na jep njëfarë besimi është se tre nga gjashtë vendet në rajon janë tashmë anëtarë të NATO-s dhe NATO siguron stabilitet politik dhe parashikueshmëri.

Por nuk mendoj se mund t’i zgjidhim çështjet e vështira të Bosnjës dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa u marrë më parë me perspektivën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për në Bashkimin Evropian.

Veçanërisht Maqedonia e Veriut është çelësi për zhbllokimin e krizës në Ballkanin Perëndimor. Kur vendet e rajonit të shohin se kjo demokraci funksionale, multietnike është e suksesshme, ata do të ecin në këtë rrugë.

A mendoni se BE-ja mban një pjesë të përgjegjësisë për atë që po ndodh në rajon?

Patjeter që po! Tani i takon BE-së të mobilizohet. E di që këto vendime kërkojnë unanimitet, por është përgjegjësi e Unionit të kalojë këtë Rubikon dhe të shkojë drejt stabilitetit evropian.

Së fundi, për Kovid-19, si po e ndihmon BE-ja vendin tuaj? BE-ja dëshiron të njëjtin nivel vaksinimi në Ballkanin Perëndimor si në BE. Pra, ku jeni përsa i përket vaksinimit?

Bashkëpunimi i BE-së për çështjen Kovid-19 është një histori suksesi.

Jo vetëm me vaksinimin, por sidomos me menaxhimin në fillim, me pajisje teknike dhe mjekësore, ndihmën e parë, mbështetje direkte financiare, 3.3 miliardë euro për rajonin nga Bashkimi Evropian për të kapërcyer sfidat socio-ekonomike. Dhe më vonë përmes vaksinave. Po, ka pasur një vonesë në dorëzim, por e gjithë bota ishte në krizë, kështu që ne e kuptojmë se BE-ja duhej të siguronte së pari veten.Tani, nuk bëhet fjalë për vaksina. Bëhet fjalë për të bindur njerëzit që të vaksinohen. Maqedonia e Veriut ka arritur shkallën e vaksinimit në pothuajse 50 për qind në mesin e popullatës. Shpresojmë që ky numër të rritet, sepse padyshim situata është duke u përkeqësuar në të gjithë Evropën, ndaj një ditë do të reflektohet edhe në vendin tonë.


Shtuar 20.11.2021 08:18