SPB Tetovë: Policia do të mbikëqyrë procesin zgjedhor në Bërvenicë për të garantuar qetësi dhe siguri

Gjatë fushatës për zgjedhjen e kryetarit të ri të Komunës së Bërvenicës, Sektori për Parandalim pranë SPB Tetovë ka zhvilluar takime me të gjithë kandidatët dhe shtabet zgjedhore që marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme lokale, të planifikuara për 18 tetor 2026.

Të lidhura

None found

Sipas njoftimit të SPB Tetovë, këto kontakte synuan bashkërendimin e aktiviteteve, garantimin e një fushate të sigurt dhe respektimin e rregullave e dispozitave ligjore, me qëllim që fushata dhe procesi zgjedhor të zhvillohen në mënyrë paqësore.

SPB Tetovë u ka bërë apel qytetarëve, aktivistëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje që të tregojnë tolerancë, të ruajnë një sjellje dinjitoze dhe të shmangin provokimet apo çdo veprim që mund të cenojë rendin publik.

Policia do të angazhohet në terren për të siguruar një proces të drejtë, të qetë dhe të sigurt për të gjithë. Nga SPB Tetovë paralajmërojnë se çdo person që shkel rregullat dhe dispozitat ligjore do të mbajë përgjegjësi, ndërsa masat e parashikuara në Kodin Penal janë rigoroze dhe nuk do të ketë tolerim ndaj askujt.