Ekzekutimi i Christa Pike dështon, nëna e 19-vjeçares së vrarë: Vajza ime po harrohet ndërsa autorja merr gjithë vëmendjen

Colleen Slemmer shkoi nga Florida në Tennessee për të ndjekur pasionin e saj për teknologjinë, por ëndrra e 19-vjeçares u ndërpre tragjikisht në janar të vitit 1995.

Të lidhura

None found

Ajo u josh nga shoqja e klasës, Christa Pike, drejt një zone të veçuar pranë Knoxville, ku u torturua dhe u vra. Pike u shpall fajtore dhe u dënua me vdekje në vitin 1996, ndërsa edhe i dashuri i saj u ndëshkua për përfshirjen në krim.

Ekzekutimi i Pike ishte planifikuar për javën e kaluar, pas përpjekjeve të pasuksesshme të avokatëve për ndryshimin e dënimit. Procedura nuk shkoi sipas planit dhe e dënuara mbijetoi, duke bërë që vëmendja të rikthehej te rasti dhe te pasojat që ai ka lënë për familjen e viktimës.

May Martinez, nëna e Colleen, udhëtoi nga Florida në Nashville për të qenë dëshmitare e ekzekutimit. Ajo thotë se në gjithë këtë histori fokusi është zhvendosur te autorja, ndërsa vajza e saj është lënë në harresë.

“Kriminelët marrin kaq shumë vëmendje. Pse? Ajo ka humbur në gjithë këtë histori… është harruar”, tha Martinez për televizionin WBIR, bashkëpunëtor i CNN.

Colleen ishte rritur në Orange Park, Florida, së bashku me nënën, njerkun dhe motrën e saj të vogël. Njerëzit e afërt e kujtojnë si një vajzë të dashur, të kujdesshme dhe të përkushtuar ndaj teknologjisë.

Që në moshë të vogël, ajo tregonte interes të madh për kujdesin ndaj fëmijëve. Nëna e saj, e cila kishte drejtuar një çerdhe për 40 vjet, tregonte se Colleen kënaqej duke u marrë me fëmijët dhe duke kaluar kohë me ta.

“Colleen i donte aktivitetet. Kujdesej për fëmijët dhe i pëlqente të bënte gjithçka që kishte të bënte me ta”, deklaroi Martinez për WVLT.

18-vjeçarja në atë kohë ishte gjithashtu aktive në komunitet. Ajo merrte pjesë si vullnetare në aktivitetet e Olimpiadës Speciale, ku ndihmonte fëmijë me aftësi të kufizuara dhe me autizëm. Sipas nënës, gjatë pushimit të drekës Colleen i ushqente, luante dhe qëndronte me ta.

Mësuesit e përshkruanin si të qetë dhe të ëmbël, ndërsa familja vlerësonte pavarësinë e saj dhe dëshirën për të krijuar një të ardhme në fushën e kompjuterëve.

“Ajo ishte e apasionuar pas kompjuterëve. Ajo dhe bashkëshorti im i ndërtonin dhe i çmontonin vazhdimisht”, kujtoi Martinez për Associated Press.

Nëna e saj tha se Colleen kishte besim te njerëzit dhe se kjo cilësi, në fund, u shndërrua në dobësinë e saj më të madhe.

Telefonata e fundit mes tyre u zhvillua natën e vrasjes. Biseda zgjati pak për shkak të sinjalit të dobët. Kur Martinez tentoi ta kontaktonte përsëri, vajza nuk iu përgjigj.

Phil Keith, ish-shefi i policisë së Knoxville në periudhën kur Pike u dënua, tha se hollësitë e krimit i kanë mbetur ende në kujtesë.

“Kam parë shumë gjëra dhe ato janë ngulitur në trurin dhe kujtesën time. Nuk do t’i harroj kurrë”, u shpreh ai për WVLT.

Martinez dhe bashkëshorti i saj shkuan nga Florida në Nashville për të ndjekur ekzekutimin. Në sallën e dëshmitarëve, nëna mbante një fotografi të Colleen.

Pas mbylljes së perdeve të dhomës së ekzekutimit, dëshmitarëve iu kërkua të largoheshin. Pak më vonë, Martinez mori vesh se Pike ishte dërguar në spital, pasi diçka kishte shkuar keq gjatë procedurës dhe ajo kishte mbijetuar.

Martinez i tha televizionit WTLV se e ndien këtë situatë si një zhgënjim nga shteti ndaj familjes së saj.

“Besoj se shteti më detyrohet një kërkimfalje të madhe”, tha ajo për dështimin e ekzekutimit.

Edhe banorë të tjerë të Tenesit kanë kritikuar kostot e çështjes dhe vëmendjen e vazhdueshme ndaj Pike, duke kërkuar që viktima të mos lihet në harresë.

Për May Martinez, vitet nuk e kanë pakësuar dhimbjen. Ajo thotë se nuk kalon asnjë ditë dhe asnjë minutë pa menduar për vajzën e saj.

“Festat janë më të vështirat”, tregoi ajo për Associated Press.

Muajin e kaluar, familja e Colleen përkujtoi ditëlindjen e saj. Nëse do të ishte ende gjallë, ajo do të kishte mbushur 51 vjeçe.

Martinez kërkon që, përtej zhvillimeve që lidhen me dënimin e Christa Pike, vajza e saj të kujtohet për atë që ishte: një e re me ëndrra, e dashur për fëmijët dhe e apasionuar pas teknologjisë, jeta e së cilës u ndërpre tragjikisht.


Shtuar më 9.10.2026 10:34