Ministria e Financave e Kosovës ka mbajtur një ngjarje në kuadër të Procesit të Berlinit, kushtuar financave të paligjshme, me temën “Beyond Compliance – Ndërtimi i ekonomive të qëndrueshme përmes integritetit financiar”.
Të lidhura
None found
Gjatë fjalës së tij, ministri i Financave, Hekuran Murati, shprehu mirënjohje ndaj Gjermanisë për mbështetjen e vazhdueshme në kuadër të Procesit të Berlinit, të cilin e vlerësoi si një nga platformat më të rëndësishme për integrimin rajonal.
“Kur përmendet ‘financimi i paligjshëm’, shumica prej nesh mendojnë për krimin, zbatimin e ligjit dhe pajtueshmërinë. Të gjitha këto janë të rëndësishme, por unë dua të flas nga një këndvështrim tjetër — ai ekonomik, me njerëzit dhe bizneset”, u shpreh Murati.
Sipas tij, financat e paligjshme kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë dhe në konkurrencën e ndershme.
“Paraja e paligjshme deformon tregun, krijon pabarazi në konkurrencë, përjashton lojtarët e ndershëm dhe i privon buxhetit të hyrat — ato të hyra që shërbejnë për ndërtimin e shkollave, spitaleve dhe rrugëve. Kjo u jep avantazh atyre që shkelin rregullat”, deklaroi ai.
Murati theksoi se përballja me financat e paligjshme është e lidhur ngushtë edhe me besimin që qytetarët kanë te institucionet, me pagesën e taksave, mbrojtjen e fondeve publike dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.
“Kjo punë nuk ka të bëjë vetëm me sekuestrimin e parave nga ata që devijojnë, por edhe me pagesën e taksave, mbrojtjen e parasë publike, mbajtjen e ekonomisë të hapur dhe tërheqjen e investimeve të jashtme që gjenerojnë vende pune”, tha ministri.
Duke folur për hapat e ndërmarrë në Kosovë, Murati përmendi reduktimin e kufirit për pagesat me para të gatshme ndërmjet bizneseve.
“Kemi ulur pragun e pagesave B2B nga 500 në 300. Për konsumatorët që blejnë, tavani në para të gatshme është 2 mijë. Çdo shumë mbi këto kufij duhet të realizohet përmes transaksioneve të gjurmueshme në institucione financiare të licencuara”, tha ai.
Ministri përmendi gjithashtu masat për mbikëqyrjen dhe licencimin e operatorëve që veprojnë në fushën e kriptomonedhave.
“Kemi avancuar me kontrollin dhe licencimin e operatorëve të kriptomonedhave. Kjo ndihmon që pagesat dhe transaksionet digjitale të jenë më të gjurmueshme dhe më transparente, duke nxitur konkurrencën e barabartë dhe kalimin e ekonomisë joformale në sektorin formal”, u shpreh Murati.
Ai nënvizoi se asnjë institucion apo shtet nuk mund ta përballojë i vetëm problemin e financave të paligjshme, pasi këto flukse financiare kalojnë me lehtësi kufijtë.
“Paraja e paligjshme nuk njeh kufij. Prandaj bashkëpunimi është i domosdoshëm, veçanërisht për Ballkanin Perëndimor. Ne përballemi me të njëjtat sfida dhe mësojmë nga përvojat e njëri-tjetrit, nga ajo që është arritur dhe nga ajo që ende nuk është bërë”, tha ai.
Murati vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet njësive të inteligjencës financiare, policisë, prokurorisë, komunitetit akademik dhe partnerëve evropianë e ndërkombëtarë.
“Ju inkurajoj që të kemi një diskutim të hapur dhe praktik, të ndihemi krenarë për progresin e arritur, por njëkohësisht të identifikojmë zbrazëtirat ekzistuese dhe punën që mbetet për t’u bërë”, tha ai.
Në mbyllje të fjalës së tij, ministri theksoi se synimi duhet të jetë gjetja e zgjidhjeve konkrete për forcimin e integritetit financiar.
“Në fund të ditës, integriteti financiar nuk ka të bëjë vetëm me përputhshmërinë rregullative; ai shërben për mbrojtjen e parasë publike, garantimin e garës së ndershme dhe ndërtimin e një ekonomie në të cilën qytetarët besojnë”, përfundoi Murati.







