Rajoni i Dibrës gati një muaj pa asnjë rast të ri me koronavirus

Në rajonin e komunave të Dibrës dhe Qendër Zhupës pothuajse një muaj nuk ka asnjë raste të ri me Covid-19. Dy rastet e fundit janë regjistruar më 19 tetor, muaji në të cilin u konfirmuan gjithsej vetëm katër raste të reja, kundrejt shtatorit kur u konfirmuan 112 raste, ndërsa në gusht ishin konfirmuar 357 raste të reja.

“Një periudhë të gjatë kohore, gjegjësisht 26 ditë nuk kemi pasur rast të ri të të infektuarve me Covid-19. Në të njëjtën kohë nuk kemi as raste aktive. Ato tre raste të cilat janë në statistikën zyrtare tani më janë shëruar, por mjekët e tyre amë ende nuk kanë dorëzuar raport përkatës që të mund të fshihen nga lista”, thonë nga Njësia e Dibrës pranë Qendrës për Shëndet Publik.

Nga ky institucion shtojnë se situata epidemiologjike mund të vlerësohet si stabile, por edhe më tej, rekomandojnë që të respektohen masat për mbrojtje nga përhapja e virusit korona.

Nga fillimi i pandemisë, në këtë rajon, i cili njohët si vatra e parë, u konfirmuan 1.453 persona të infektuar, prej tyre për fat të keq betejën e humbën rreth 80 persona./tv21


Shtuar 16.11.2021 09:07