Sot, me fillim prej orës 11:00 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet seanca plenare ku në rend dite do të jetë mosbesimi i Qeverisë Zaev 2.
Kjo iniciativë fillimisht me nënshkrimet e 61 deputetëve është dorëzuar nga opozita VMRO-DPMNE, kurse gjatë ditës së djeshme është dorëzuar iniciativë e re ku janë tërhequr 17 nënshkrime të 17 deputetëve.
Kjo erdhi pasi një pjesë e deputetëve të opozitës shqiptare e vendosën si kusht që derisa në listë qëndrojnë deputetë të të majtës, ata nuk do të votojnë për rrëzimin e Qeverisë.
Pas kësaj, 4 deputetë të Alternativës njoftuan se do të votojnë për rrëzimin e Qeverisë.
Iniciativa u dorëzua pasi partitë opozitare njoftuan se kanë shumicë parlamentare dhe pritën të reflektojë kryeministri Zoran Zaev, të depozitojë në Kuvend dorëheqjen e njoftuar mbrëmjen e 31 tetorit, kur u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.
Zaev nuk depozitoi dorëheqjen, ndërkaq opozita dorëzoi iniciativë për mosbesim të Qeverisë, kurse opozitës, sipas paralajmërimeve me vota do t’u bashkëngjitet edhe njëra parti e pushtetit, Lëvizja Besa.
Lëvizja Besa që ka paralajmëruar se do të votojë për rrëzimin e Qeverisë, nuk ka qenë as në koordinimin e realizuar dje nga Zaev me partnerët e koalicionit.
Nga ana tjetër, kryeparlamentari Talat Xhaferi ka sqaruar se nëse sot nuk votohet mosbesimi i qeverisë, e njëjta nuk do të mund të vendoset sërish në rend të seancës plenare as 90 ditët e ardhshme.
E gjithë kjo krizë politike u shkaktua pasi partia Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë humbi një pjesë të konsiderueshme të komunave në zgjedhjet lokale dhe lideri i saj dhe kryeministër, Zoran Zaev paraprakisht kishte paralajmëruar se nëse do të humbiste edhe Shkupin, do të dorëhiqej.