Kristina Preka është një kuzhiniere shqiptare që jetën e ka ndërtuar në New York por dashurinë për ushqimet shqiptare nuk e ka harruar kurrë. Në moshën 4 vjeçare ajo shpërngulet në Brooklyn dhe studion kulinare. Si një profesioniste ajo kaloi muajt e verës në Lezhë për të mësuar mbi pjatat tradicionale të vedit tonë. E ftuar në ‘Abc e Pasdites’, Preka na tregoi se qëllimi i saj është të hapë një restorant vetëm ku të shërbehen vetëm gatime shqiptare.
“Në shtëpi kur gatuanin, e shihja veten çdo herë në kuzhinë me ta familjarët e mi dhe doja të mësoja si bëheshin gjërat.” – shprehu ajo për fillimet e lindjes së këtij pasioni të madh tashmë i kthyer në profesion.
E pyetur nga Ermal Peçi cilat janë ushqimet që ajo mendon se do të pëlqeheshin më tepër nga amerikanët, Kristina shprehu:
“Mendoj se lakrori. Në New York nuk bëjnë prodhime brumi. Ka një vend në Queens që ka byrek por bëjnë edhe pizza dhe ushqime te tjera jo shqiptare. Ushqimet që kanë lidhje më brumin besoj do i pëlqenin shumë.”
Por kuzhinierja e talentuar nuk la pa përmendur edhe gjellën më tipike në familjet shqiptare, atë me fasule, që Kristina e konsideroi si shumë të rëndësishëm në dietën ushqimore të familjes.
“Fasule ose groshë do i pëlqenin shumë në Amerikë. Njerëzit mundohen mos të han shumë mish. Fasulet janë për çdo njeri jo për evente specifike. Është për përditshmërinë, si në Shqipëri. Lakror, fasule, ndonjë mish, këto janë ushqimet që duhen.”
Teksa bisedonin në studio, Ermali e pyet Kristinën çfarë ushqimi shqiptarë dëshiron t’i sjellë ai nëse i bie rruga për në New York. Preka u përgjigj e bindur:
“Turshi, domatet jeshile. Nuk ka këtu. Janë shumë ndryshe nga Shqipëria.”