Fqinja rrëfen tragjedinë në Astir: Nëna u fut për të shpëtuar djalin, i mbuloi flaka të dy

Një tjetër dëshmi vjen nga fqinjët e zonës së “Astirit” në Tiranë ku një e moshuar ndërroi jetë në spital, ndërsa djali është në gjendje të rëndë pasi u hodhën nga kati i tretë i pallatit, kur apartamenti u përfshi nga flakët.

Fqinja u shpreh se në momentin që banesa u përfshi nga zjarri, e moshuara doli dhe kërkoi ndihmë, por nuk pranoi që të zbriste pa marrë djalin. Në çastin që u fut për të marrë të birin u bllokun të dy brenda dhe u hodhën nga dritarja për të shpëtuar.

“Gruaja ishte duke shpëtuar, doli tek dera, por nuk dëgjoi u kthye me marrë djalin. Bëri thirrje, ndihmë, ndihmë. Djali nuk dilte se thoshte kam frikë policinë. Kur u kthye e mbuloi flaka dhe doli nga ballkoni.

Policia erdhi një fije me vonesë, po edhe zjarrfikësja erdhi ca vonoi erdhi. Shteti e ka ditur këtë punë si do të përfundonte. Sa ikin policët ai shkonte me pirë kafe, ne po të bëjmë diçka na kap policia” tha banorja e pallatit.

Viktima është Hava Osmenaj. I lënduar ka mbetur djali i saj Klodjan Osmenaj. Djali njihet si tip problematik, vuante nga problemet mendore dhe dyshohet se ka qenë ai që ia ka vendosur zjarrin shtëpisë.

Familja jetonte prej disa vitesh në zonën e “Astirit”. Grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe banorët e zonës për të mësuar më shumë detaje rreth ngjarjes. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:55, ndërsa zjarrfikësja është njoftuar me vonesë./ Abcnews.al


Shtuar 16.10.2021 10:37