Vokshi në krah të Nokës? Deputetja: Memeceria e çon PD drejt vdekjes së sigurt

Deputetja e PD, Albana Vokshi, që mban gjithashtu edhe postin e kryetares në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë ka komentuar shkurtimisht zhvillimet e fundit në PD dhe shkarkimin e Flamur Nokës nga posti i nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë.

Noka u paralajmërua nga Lulzim Basha gjithashtu se do të përjashtohej nga grupi parlamentar. Vokshi nuk përmend rastin konkret, por gjuha e përdorur nënkupton se nuk e miraton shkarkimin e Flamur Nokës.

“Liria dhe demokracia e brendshme janë oksigjeni që mund të mbajnë në jetë PD-në. Memeceria, bindja e verbër dhe futja në rresht janë asfiksim që e çon PD-në në një vdekje pa zhurmë, por të sigurt”, shkruan ajo.

Vetë Flamur Noka reagoi më herët duke e cilësuar vendimin e Lulzim Bashës si të pritshëm, por ai tha se nuk do të tërhiqet nga qëndrimet dhe mbështetja për Sali Berishën.


Shtuar 11.10.2021 23:43