Policia e Kosovës i arrestoi bashkëshortin, reagon ashpër Besa Shahini dhe akuzon publikisht Albin Kurtin

“Pesë aktivistët në aksionin simbolik kundër gjykatës së padrejtë speciale – tashmë e shndërruar në gjykatë kundër UÇK-së – u rrahën dhe arrestuan dhunshëm…”

Ish-ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini ka reaguar lidhur me arrestimin e bashkëshortit të saj Dardan Molliqaj dhe disa aktivistëve të PSD-së në Prishtinë. Ajo shkruan se kryeministri Albin Kurti dëshiron ta shuajë çdo zë opozitar në Kosovë.

Shahini thotë se Albini nxjerr ministrat e vet në protestë, për ta përvetësuar kauzen, siç ndodhi me daljen e turpshme të ministres së drejtësisë dhe atij të brendshëm në protestat kundër vrasjes brutale të një gruaje të re nga partneri i saj.

SHKRIMI I BESA SHAHINIT:

Nevoja e Albinit që të shuajë çdo zë opozitar në Kosovë ka kaluar në absurditet. Pesë aktivistët në aksionin simbolik kundër gjykatës së padrejtë speciale – tashmë e shndërruar në gjykatë kundër UÇK-së – u rrahën dhe arrestuan dhunshëm. Në korrik ndodhi e njejta, kur Albini nxorri policinë për të mbrojtur një taksë absurde shtesë të regjistrimit të makinave, të cilën e tërhoqi më vonë.

Para kësaj, u organizua një protestë e vogël kundër hipokrizisë së VV-së e cila bëri fushatë të hapur elektorale, të rrezikshme për shëndetin midis pandemisë dhe menjëherë pasi fitoi zgjedhjet vendosi masa të rrepta duke u thirrur në pandemi, që rezultuan në mbyllje biznesesh dhe gjobitje marramendëse të qytetarëve. Protesta u mbyll me dhunë policore, aq në shpërputhje me aksionin e protestuesve, sa nuk ishte parë që nga koha e UNMIK-ut.

Nëse nuk i shuan me dhunë, Albini nxjerr ministrat e vet në protestë, për ta përvetësuar kauzen, siç ndodhi me daljen e turpshme të ministres së drejtësisë dhe atij të brendshëm në protestat kundër vrasjes brutale të një gruaje të re nga partneri i saj. Shëndeti i demokracisë në Kosovë është në pikën e vet më të brishtë që nga paslufta.

E vetmja fije shprese është fakti që nën pushtetet e dhunshme, pashmangshëm rritet e forcohet opozita. Kështu që paradoksalisht, nevoja dhe hapësira për opozitë të re dhe të zëshme po vjen duke u rritur. /albeu.com/


Shtuar 7.09.2021 15:50