Ndryshimi i orës: Pse ndodh çdo pranverë dhe si do të ndikojë tek ne

Mëngjesin e 28 marsit akrepat e orës shkuan 60 minuta para. Qëllimi i këtij ndryshimi është shtyrja e perëndimit të diellit më vonë gjatë ditës dhe lindjes së diellit më vonë në mëngjes. Kjo shtyrje, me siguri, do t’ju shkaktojë pak probleme me gjumin javët e para. Gjithsesi, ndonëse netët do të jenë më të shkurtra dhe do të flini më pak, përjetimi i ditëve të gjata do t’ju ndryshojë humorin.

Edhe pse ora ndryshon çdo vit, disa pyetje mbeten përjetësisht të pazgjidhura. Le t’i marrim me radhë.

Pse e ndryshojmë orën çdo vit dhe pse tani?

Koncepti nisi nga Shtetet e Bashkuara për të kursyer energji gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u bë standard botëror gjatë viteve ’60. Ideja është që orët me diell të shtyhen më tej në darkë. Pra, nëse dielli perëndon në 20:00 dhe jo në 19:00, ne do të shpenzojmë më pak kohë me dritat ndezur në shtëpi, duke kursyer elektricitet.

Gjithashtu, njerëzit nuk do të flenë gjatë orëve me diell në mëngjes, pasi edhe ato shtyhen një orë më tej. Kjo do të thotë që orët me diell do të jenë produktive dhe do të përdoren efektivisht.

A kursen vërtet energji?

Në fakt, studimet zbuluan se impakti është minimal, për të mos thënë inekzistent.

Çfarë do të ndodhte nëse do të hiqnim dorë krejtësisht nga ndryshimi i orës?

Kartografi Andy Woodruff vizualizoi çfarë do të ndodhte në skenarë të ndryshëm. Boshti përfaqëson ditë me lindje dhe perëndim dielli në një orar të arsyeshëm. Me këtë, ai do të thotë lindje dielli në 7:00 ose më herët dhe perëndim në 17:00 ose më vonë.

Me ndryshimin e orës dy herë në vit, harta Sh.B.A. duket kështu. Në të majtë llogariten ditët ku dielli lind në 7:00 ose më herët. Sa më e verdhë, aq më shumë ditë të tilla. Në të djathë, llogariten ditët ku dielli perëndon në 17:00 ose më vonë. Sa më e verdhë harta, aq më shumë ditë të tilla.

Ora është gjithmonë 60 minuta para

Sqarim: Sasia e orëve me diell nuk ndryshon, pasi kjo varet nga animi i tokës rreth boshtit të vet. Ndryshimi i orës bën që njerëzit të përjetojnë më shumë nga këto orë duke akomoduar lindjen dhe perëndimin e diellit me oraret e botës moderne.

Studiues të ndryshëm argumentojnë se është më mirë që orët të jenë gjithmonë një orë përpara sepse njerëzit e shpenzojnë kohën e lirë pas pune dhe jo para, fëmijët ushtrohen më shumë pasditeve dhe krimi pakësohet kur ka dritë.

A është i rrezikshëm ndryshimi i orës?

Pak. Kur orët shkojnë para 60 minuta, shumë prej nesh humbasin një orë gjumë. Orët tona biologjike janë pak të konfuzuara. Njerëzit janë qenie të brishta dhe ndryshimi më i vogël ka ndikim.

Në rastin e ndryshimit të orës, shumë prej nesh e përjetojnë keq mendërisht dhe nuk ndihen në sinkron me botën.

Studime të mëparshme kanë vënë re rritje të numrit të aksidenteve automobilistike mëngjesin pas ndërrimit të orës si dhe lëndime në vendin e punës. Të tjerëve iu ndikon në ndryshimin e sensit të humorit dhe gjendjes shpirtërore; probleme me gjumin, që sjellin lehtësisht mërzitje, lodhje, inatosje apo në disa raste edhe depresion; vështirësi në përqendrim apo dhimbje koke.

Këto simptoma, ndonëse ndihen nga disa njerëz, zhduken shpejt. Mjaft sa të mësohemi me ciklin e orës së re dhe me orën e humbur të gjumit.


Shtuar 29.03.2021 10:35