Aksidenti i ndodhur mesjavën e shkuar në Qafën e Muzinës ku humbën jetën 5 persona, duket se po hyn në një etapë të re hetimesh.
Mësohet se ekspertët kanë dalë në përfundimin se aksidenti kishte këto përmasa tragjike si pasojë e llojit të përplasjes tangenciale. Sipas tyre nëse përplasja do të kishte qenë ballore me shumë mundësi jetët e personave të përfshirë në aksident do të shpëtonin dhe do të kishim vetëm të plagosur. Por duke qenë se makina “Land Rover” dhe furgoni janë përplasur në cepat tangenciale ka bërë që furgoni të devijojë dhe të përfundojë në greminë ku si pasojë humbën jetën 5 persona, drejtuesi i furgonit dhe 4 pasagjerë.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes nuk janë parë gjurmë frenimi çka vështirëson punën e ekspertëve për të arritur në konkluzione se sa shpejtë ka qenë “Land Rover”. Mësohet se rruga ka qenë e lagur dhe kjo ndikuar në përplasjen e dy mjeteve. Raportohet se makina “Land Rover” që drejtohej nga Rexhina Çelhaka u gjet e zhvendosur dy metra nga pika ku bëri kontaktin e përplasjes me furgonin.
Abcnews.al, mëson se së fundmi ka ardhur edhe një reagim nga e reja, Rexhina Çelhaka e cila ka thënë se nuk ka qenë me shpejtësi dhe se furgoni me pasagjerë drejtuar nga Bardhi Proda, erdhi me një shpejtësi aq sa nuk kishte pasur mundësi të reagonte. E reja mësohet se kishte marrë makinën “Land Rover” tek një i afërm i saj dhe po udhëtonte drejt jugut së bashku me dy shoqet e saj italiane.
Një ditë pas aksidentit policia e Gjirokastrës arrestoi drejtuesen e mjetit “Land Rover”, 22 vjecaren Rexhina Çelhaka nga Tirana.
Mes viktimave, krahas Bardhi Prodos, ishin edhe një çift të moshuarish, të cilës kishin shkuar për pushime në Sarandë dhe po ktheheshin në Tiranë. Fiqiri dhe Drita Korçari ndodheshin në furgonin e tragjedisë bashkë me shoferin dhe dy viktimat e tjera një çift bashkëshortësh nga Ukraina.
Mjetet u përplasën rreth orës 15.30 të 26 gushtit, furgoni me pasagjerë që drejtohej nga bardhi Proda ishte nisur nga Tirana për në Sarandë me 5 pasagjerë. Dy çifte bashkëshortësh një nga Tirana dhe tjetri nga Ukraina dhe vajza që i mbijetoi aksidentit.
Mjeti pas përplasjes me “Land Roverin” doli nga rruga dhe ra në greminë. Për nxjerrjen e trupave të pajetë zjarrfikësit punuan 2 orë pasi terreni ishte i vështirë.