Prokuroria e Shtetit ka urdhëruar pezullimin e punimeve për vendosjen e muralit kushtuar Nënës Terezë në Prishtinë, deri në marrjen e një vendimi nga gjykata.
Vendimi është komunikuar pas disa orësh tensione në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me zyrtarë komunalë, kanë pritur qëndrimin e Prokurorisë, pavarësisht reshjeve të borës.
Të lidhura
None found
Komandanti i Policisë, Balaj, e ka informuar Ramën se vendimi lidhet me kontestin mes Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Komunës së Prishtinës.
“E pranuam zyrtarisht vendimin prej Prokurorit të Shtetit që, deri në një vendim të gjykatës, të mos lejohen zhvillimet e punimeve për shkak të problematikave mes dy palëve, mes Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Komunës. Nuk më lejohet ta nxjerr këtë dokument jashtë pa autorizim. Mediat le t’i drejtohen Prokurorisë”, dëgjohet t’i thotë Balaj kryetarit Rama.
Rama ka kundërshtuar interpretimin e Prokurorisë, duke këmbëngulur se objekti ku do të vendosej mozaiku nuk i përket ministrisë, por Komunës së Prishtinës.
“Cilat dy palë? Ministria nuk është palë këtu. Prokurori paska marrë një vendim, një vendim që është marrë prej asamblistëve, me të gjitha lejet, me të gjitha të drejtat si qeverisje, është bllokuar tash sepse ka kontest mes dy palëve. Pse ministria është palë? Ky objekt s’është pronë e ministrisë, është e Komunës”, është shprehur Rama.
Pas njoftimit të Prokurorisë, kryetari i Prishtinës ka bërë të ditur se komuna nuk do të ndërhyjë për të vijuar punimet, duke marrë parasysh edhe faktin se sot është festë kombëtare.
Mozaiku i Nënës Terezë ishte planifikuar të inaugurohej sot, në Ditën e Flamurit Kombëtar.








