Jensen Huang është rikthyer në selinë e Nvidia-s pas një mungese 11-ditore, duke deklaruar se do të ndryshojë mënyrën e drejtimit të kompanisë. Megjithatë, largimi i tij i përkohshëm dhe rikthimi kanë hapur debate mbi qeverisjen e gjigantit të inteligjencës artificiale, ndikimin e bashkëpunëtorëve të afërt, përgjegjësinë e bordit dhe raportet me autoritetet amerikane për eksportet drejt Kinës.
Gjatë një takimi me punonjësit në selinë e Nvidia-s në Silicon Valley, të martën, Huang pranoi se duhet të zbusë stilin e tij autoritar të menaxhimit. Pavarësisht kësaj, ai nuk paralajmëroi ristrukturime të rëndësishme në drejtimin e kompanisë dhe mbrojti modelin aktual, ku dhjetëra drejtues të lartë raportojnë drejtpërdrejt tek ai.
Të lidhura
None found
Themeluesi i Nvidia-s deklaroi gjithashtu se vazhdon të jetë kundër hartimit të një plani zyrtar për pasardhësin e tij në krye të kompanisë.
Kriza ka vendosur në qendër të vëmendjes edhe rrethin e tij më të ngushtë drejtues, si dhe bordin e kompanisë, i cili është kritikuar për mënyrën e administrimit të mungesës dhe rikthimit të Huang.
Analistët e cituar nga Financial Times mendojnë se zhvillimet e fundit mund ta shtyjnë Huang të rishikojë stilin e tij të menaxhimit. Gene Munster, partner menaxhues në Deepwater Asset Management, beson se drejtuesi i Nvidia-s do të rikthehet me një qasje të re pas krizës.
Sipas tij, Huang mund të ulë presionin e vazhdueshëm ndaj punonjësve, partnerëve dhe politikanëve, duke zbutur një prej tipareve më të dallueshme të mënyrës së tij të drejtimit.
Huang është kritikuar edhe më herët për komunikimin e ashpër me vartësit, përfshirë rastet kur u ka tërhequr vëmendjen publikisht në prani të kolegëve të tyre.
Munster vlerëson se një ndryshim i tillë mund të ngadalësojë ritmin e kompanisë, por njëkohësisht mund të kontribuojë në një drejtim më të qëndrueshëm në planin afatgjatë.
Një tjetër pasojë e krizës lidhet me vëmendjen e shtuar ndaj drejtoreshës financiare Colette Kress dhe këshilltarit të përgjithshëm Tim Teter. Të dy bëjnë pjesë në rrethin e ngushtë të Huang dhe roli i tyre në administrimin e Nvidia-s është vënë në pikëpyetje.
Kress është përballur me pyetje rreth praktikave të kontabilitetit të kompanisë dhe nivelit të transparencës financiare, veçanërisht për lidhjet e Nvidia-s me tregun kinez.
Teter, i cili ka pasur në mbikëqyrje çështjet ligjore dhe respektimin e kufizimeve amerikane për eksportet, është kritikuar për trajtimin e shqetësimeve që lidhen me sigurinë kombëtare.
Burimet e cituara nga Financial Times bëjnë të ditur se ai pritet të dëshmojë bashkë me Huang në seanca dëgjimore me dyer të mbyllura në Kongresin amerikan.
Ende nuk dihet nëse kjo krizë do të prodhojë ndryshime në pozicionet e tyre. Një punonjës i Nvidia-s ka thënë se Huang nuk njihet si një drejtues që i largon lehtësisht bashkëpunëtorët, por zakonisht u kërkon atyre të përmirësojnë rezultatet e tyre.






