Sekretari i përgjithshëm i NATO -s, Jens Stoltenberg, tha të enjten se forcat aleate duhet të vazhdojnë të evakuojnë sa më shumë njerëz të rrezikuar nga Kabuli pavarësisht “sulmit të tmerrshëm terrorist”.
“Prioriteti ynë mbetet të evakuojmë sa më shumë njerëz dhe sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.
Disa njerëz janë vrarë, përfshirë fëmijë, nga dy shpërthime të dyshuara si sulme vetëvrasëse me bombë që kanë tronditur aeroportin e Kabulit të enjten (26 gusht).
Incidenti ka shtuar kaosin në aeroport disa ditë para datës 31 gusht kur duhet të përfundojë tërheqja e plotë trupave të huaja nga Afganistani.
Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se fillimisht ndodhi një shpërthim i madh në Portën e Abacisë të aeroportit dhe u pasua nga një shpërthim i dytë aty pranë.
Shpërthimet, sipas tij, ishin “rezultat i një sulmi kompleks që rezultoi në një numër viktimash amerikane dhe civile”.
CNN citoi një burim të Pentagonit të thoshte se të paktën tre ushtarë amerikanë u plagosën në sulm.
Mijëra njerëz ishin mbledhur para aeroportit në përpjekje për të ikur nga Afganistani pavarësisht paralajmërimeve për një kërcënim “shumë të besueshëm” të një sulmi terrorist.
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti, Joe Biden, është informuar për incidentin dhe po zhvillon bisedime me zyrtarët e sigurisë në lidhje me situatën në Afganistan, ku Shtetet e Bashkuara janë në hapat e fundit për t’i dhënë fund luftës 20-vjeçare.
Një zyrtar taliban ka thënë se të paktën 11 persona janë vrarë në sulmin në aeroportin e Kabulit. Zyrtari tha se në mesin e viktimave kishte gra dhe fëmijë dhe se një numër i rojeve talibane ishin plagosur. Ky informacion nuk është konfirmuar.
Ndërkohë mediumi Tolo News i Afganistanit raportoi se një numër i të plagosurve nga shpërthimi janë transportuar në një spital lokal.
Askush nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për sulmet.
Më herët, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore i paralajmëruan qytetarët e tyre që të largohen menjëherë nga zonat përreth aeroportit të Kabulit, për shkak të kërcënimeve për një sulm terrorist.
Më shumë se 82,000 njerëz janë nxjerrë tashmë me aeroplanë nga Kabuli, i cili ka rënë në duart e talibanëve më 15 gusht./REL