Komisioni Europian ka vënë në dukje se disa praktika të platformës Temu mund të mashtrojnë blerësit ose të ndikojnë padrejtësisht në zgjedhjet e tyre për blerje; ndër to janë zbritjet e rreme, vlerësimet e manipuluara, mesazhet që krijojnë ndjesinë e urgjencës për të blerë dhe mungesa e informacionit të qartë.
Në këtë kuadër, platforma e njohur e tregtisë elektronike Temu ka pranuar të përafrojë një sërë praktikash tregtare me rregullat e Bashkimit Europian për mbrojtjen e konsumatorëve. Njoftimi u dha sot nga Komisioni Europian, pas një vlerësimi të ndërveprimit të platformës me klientët, raporton Reuters.
Të lidhura
None found
Ndryshimet e paralajmëruara përfshijnë edhe lojërat promocionale, si rrota që rrotullohet për të fituar oferta dhe për t’u futur në platformë. Temu ka rënë dakord t’u japë fund këtyre mekanizmave shtrëngues, si dhe njoftimeve që u bëjnë presion përdoruesve që të përfundojnë blerjet.
Po ashtu, kompania është zotuar të ofrojë informacione më të qarta dhe më të lehta për t’u gjetur në lidhje me shërbimin ndaj klientit, çmimet, pretendimet për mjedisin dhe procedurën e pagesës. Ajo ka premtuar gjithashtu thjeshtimin e rimbursimit të parave.
Sipas një zëdhënësi të kompanisë, Temu është e kënaqur me marrëveshjen e arritur dhe do të vazhdojë përpjekjet për të rritur transparencën dhe për të përmirësuar përvojën e blerjes për konsumatorët europianë.








