Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, reagoi ndaj letrës së hapur të Ali Ahmetit lidhur me zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ai deklaroi se asnjë individ apo forcë politike nuk mund të pretendojë pronësi mbi gjuhën shqipe dhe përdorimin e saj. Sipas Shasivarit, raportuesit e Komisionit të Venecias do të qëndrojnë në vend nesër dhe pasnesër, pasi këtij institucioni i është kërkuar të japë vlerësim dhe opinion për çështjen.
Të lidhura
None found
“Gjuha shqipe u përket qytetarëve të këtij shteti që e përdorin dhe kanë të drejtë ta përdorin. Ndërkohë, institucionet kanë përgjegjësi ligjore dhe institucionale për respektimin dhe zbatimin e të drejtave gjuhësore. Për këtë arsye, asnjë person apo parti politike nuk mund të ketë monopol mbi këto të drejta”, tha ai.
Shasivari nënvizoi se kjo është një çështje e hapur dhe transparente, e cila nuk është zgjidhur edhe pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe ndonëse që nga viti 2001 Maqedonia ka pasur tetë ministra shqiptarë të drejtësisë.
“Synimi im është që kjo çështje të mos vazhdojë të mbetet pa zgjidhje. Raportuesit e Komisionit të Venecias do të zhvillojnë një agjendë të ngjeshur takimesh gjatë vizitës së tyre. Ne kemi kërkuar vlerësimin dhe opinionin e këtij institucioni prestigjioz për çështjet kushtetuese në kuadër të Këshillit të Evropës”, u shpreh ministri.
Ai shtoi se qeveria ka një qëndrim të qartë për respektimin dhe avancimin e të drejtave gjuhësore, ndërsa kontributi i të gjithë aktorëve do të jetë i rëndësishëm në këtë proces.
Duke folur për Kodin Penal, Shasivari tha se Maqedonia po përgatitet të hyjë në fazën e diskutimeve profesionale për miratimin e një Kodi Penal krejtësisht të ri. Kjo nismë vjen pas gati tri dekadash zbatimi të legjislacionit aktual, i cili është miratuar në vitin 1996.
Ministri paralajmëroi masa më të ashpra ndaj korrupsionit dhe keqpërdorimit të funksioneve publike.
“Keqpërdorimi i pozitës zyrtare, prokurimet publike, koncesionet dhe partneritetet publiko-private do të rregullohen në mënyrë të veçantë, me dënime që mund të arrijnë deri në 15 vjet burg. Funksioni publik nuk është privilegj, por përgjegjësi. Mjetet publike nuk janë pronë private e askujt, pasi u përkasin qytetarëve dhe duhet të mbrohen”, deklaroi Shasivari.
Megjithatë, ai theksoi se edhe dënimi më i rëndë nuk do të kishte vlerë pa procedura efikase dhe një vendim gjyqësor të ligjshëm.







