Afërsisht 78.000 gra dhe vajza u vranë në mbarë botën gjatë vitit 2025, sipas raportit të publikuar nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC) dhe UN Women për Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Edhe pse shifra është më e ulët se rreth 50.000 viktimat e raportuara për vitin 2024, kjo nuk dëshmon se dhuna është në rënie.
Banesa vazhdon të jetë vendi më i rrezikshëm për gratë dhe vajzat: 60 për qind e femicideve të regjistruara u kryen nga partnerë ose familjarë të afërt. Mesatarisht, dhuna e ushtruar nga partnerët dhe të afërmit u merr jetën 129 grave çdo ditë.
Të lidhura
None found
Afrika shënoi numrin më të lartë të grave të vrara nga partnerët ose familjarët, me rreth 22.000 viktima gjatë vitit 2025. Në Azi u regjistruan 15.000, në Amerikën Veriore dhe Jugore 7.400, në Evropë 2.100, ndërsa në Oqeani 300. Raporti thekson se asnjë rajon nuk është i mbrojtur nga kjo formë dhune. Përllogaritjet mbështeten në të dhënat nga 122 vende dhe rajone.
Ndërsa vrasjet në përgjithësi po pakësohen në nivel global, femicidet po bien shumë më ngadalë, vëren OKB-ja. Në Evropë, nga viti 2010 deri më 2025, vrasjet u reduktuan me 43 për qind, kurse femicidet me vetëm 28 për qind.
Të dhëna të publikuara nga qeveria gjermane dhe Zyra Federale për Krimet (BKA) tregojnë se dhuna ndaj grave në Gjermani po shtohet vazhdimisht. Vitin e kaluar, gati 198.000 gra dhe vajza u prekën nga dhuna në familje, 2,8 për qind më shumë se një vit më parë.
Si pasojë e dhunës në familje në Gjermani humbën jetën 209 gra ose vajza, si dhe 83 burra ose djem. Sipas të dhënave, rritje është shënuar përsëri në të gjitha kategoritë e regjistruara të dhunës ndaj grave, duke e kthyer femicidin dhe dhunën familjare në sfida madhore sociale dhe të sigurisë në shumë vende.






