Real Madridi regjistroi një tjetër triumf në Ligën e Kampionëve, kësaj radhe para tifozëve të vet kundër PSV-së.
Siç ka ndodhur shpesh, skuadra madrilene e fitoi ndeshjen pasi ishte në disavantazh: mysafirët kaluan të parët në avantazh, por vendasit e mbyllën takimin me shifrat 5-1.
Të lidhura
None found
Në pjesën e parë, PSV-ja tregoi lojë më bindëse, kontrolloi ndeshjen dhe krijoi mjaft raste për gol.
Ivan Perisic zhbllokoi rezultatin nga pika e bardhë në minutën e 32-të.
Megjithatë, pas pushimit, Real Madridi u shfaq shumë më superior. Vendasit ushtruan presion të vazhdueshëm dhe me plot të drejtë e përmbysën ndeshjen.
Federico Valverde barazoi në minutën e 50-të pas një pasimi të Arda Guler, ndërsa Jude Bellingham e kaloi Realin në epërsi me një gol të bukur në minutën e 60-të.
Vetëm katër minuta më pas, Guler i rrëmbeu topin kundërshtarit dhe i dha asist Kylian Mbappe, i cili e çoi rezultatin në 3-1 në minutën e 64-të.
Në minutën e 84-të, Mbappe shënoi golin e tij të dytë personal, pasi dribloi edhe portierin dhe e dërgoi topin në rrjetën e zbrazët.
Fitoren e vulosi Vinicius Junior në fund, pas një kundërsulmi të shpejtë në minutën e 88-të.
Me këtë rezultat, Real Madridi ka grumbulluar 15 pikë pas pesë ndeshjeve, ndërsa PSV-ja mbetet me katër pikë në vendin e 27-të.






