Me ftesë të kryetarit të Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka nisur një vizitë zyrtare kthimi në Republikën e Kroacisë. Në delegacion bëjnë pjesë edhe Bllagica Llasovska, kryetare e Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin kroat, si dhe anëtarët e grupit Dimitar Kovaçevski, Kaltrina Beqiri dhe Sali Murati.
Sipas njoftimit të Kabinetit të Gashit, delegacioni zhvilloi fillimisht një takim me nikoqirin e vizitës, Jandrokoviqin. Në bisedë morën pjesë edhe Armin Hoxhiq, nënkryetar i Parlamentit kroat, dhe Andro Krutulloviq Opara, kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme.
Të lidhura
None found
Të dyja palët vlerësuan se marrëdhëniet mes vendeve janë të shkëlqyera dhe mbështeten në miqësi të sinqertë, besim e respekt të ndërsjellë. Delegacioni shprehu mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme dhe të fuqishme të Kroacisë ndaj synimit strategjik për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit u nënvizua roli i bashkëpunimit parlamentar dhe gatishmëria për ta zgjeruar atë mes grupeve të bashkëpunimit. Po ashtu, palët u shprehën të gatshme të krijojnë partneritet më të ngushtë mes shërbimeve të dy parlamenteve për çështjet e procesit të aderimit dhe anëtarësimit në BE. Thellimi i lidhjeve institucionale dhe shkëmbimi i rregullt i përvojave e mendimeve u cilësuan si bazë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme dhe dypalëshe.
Në njoftim theksohet gjithashtu rëndësia e përkrahjes së vazhdueshme kroate për zbatimin e reformave që lidhen me integrimin në BE. Deri tani janë realizuar 17 projekte tvining, ndërsa katër të tjera janë në zhvillim në fusha të ndryshme. Sipas palëve, mbështetja me intensitet të lartë për rrugën evropiane do të vijojë edhe në të ardhmen.
Gashi bëri të ditur se Marrëveshja e Bashkëpunimit Strategjik mes Qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë, e nënshkruar më 26 maj 2026 në Ohër, synon të shërbejë si bazë për partneritet afatgjatë dhe përparimin e marrëdhënieve dypalëshe. Marrëveshja parashikon forcimin e bashkëpunimit ekonomik, institucional dhe sektorial, me përfitime konkrete për të dyja vendet. Ajo kaloi në Komisionin për Politikë të Jashtme më 10 nëntor dhe është përfshirë në rendin e ditës së seancës plenare më 1 dhjetor, ku pritet të miratohet.







