Gratë në Maqedoni përballen jo vetëm me dhunën e ushtruar nga abuzuesit, por edhe me heshtjen dhe mungesën e ndëshkimit nga institucionet, deklaroi sot në një konferencë për shtyp nënkryetarja e LSDM-së, Jovanka Trençevska.
Si shembuj se sistemi nuk po i mbron viktimat, ajo përmendi rastet e fundit të Biljanës, 17 vjeçe, nga Bogdanci, e cila u vra edhe pse kishte një urdhër mbrojtjeje në fuqi; të Rosicës nga Velesi, Ramajanës nga Shuto Orizari, si dhe të Ivanës dhe vajzës së saj nga Shkupi. Sipas Trençevskës, ato nuk morën ndihmë e mbrojtje, pavarësisht raportimeve të përsëritura.
Të lidhura
None found
Trençevska tha se hetimet që, sipas pretendimeve, po zhvillon Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë sjellë përgjegjësi për drejtuesit e niveleve të larta, pasi përgjegjësia u është ngarkuar vetëm punonjësve të zakonshëm të policisë. Ajo shtoi se gjatë dy viteve të fundit janë regjistruar 13 vrasje të grave: gjashtë në vitin 2025 dhe shtatë në vitin 2026.
Sipas të dhënave të paraqitura prej saj, në vitin 2025 Ministria e Punëve të Brendshme mori 4,745 raportime nga gratë dhe ngriti mbi 1,000 kallëzime penale. Ndërkohë, qendrat e punës sociale regjistruan 1,754 viktima të reja të dhunës në familje. Gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026, raportimet u shtuan me mbi 70%, ndërsa numri i kallëzimeve penale arriti në 1,450, ose 50% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Ministria e Politikës Sociale, theksoi ajo, nuk i ka bërë ende publike të dhënat gjashtëmujore për vitin 2026.
Në këto dy vite janë dërguar pranë prokurorisë publike kompetente afro 2,500 kallëzime penale, por ende nuk dihet sa prej tyre janë ndjekur penalisht dhe kanë përfunduar me vendim gjyqësor. Trençevska nënvizoi se shtimi i raportimeve nuk ka kuptim nëse drejtësia mbetet e bllokuar dhe autorët nuk ndëshkohen.
Grupi parlamentar i LSDM-së dhe koalicioni i saj kanë paraqitur sot, në përputhje me Rregulloren e Punës, një nismë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit. Në të kërkohet pjesëmarrja e ministrave të Punëve të Brendshme, Politikës Sociale dhe Drejtësisë, si dhe e Prokurorit Publik të Shtetit. Qëllimi, sipas Trençevskës, është që dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje të diskutohen pa vonesë e pa kalkulime politike, të kërkohet përgjegjësi për veprimet e gabuara dhe të përcaktohen masa konkrete për parandalim e mbrojtje.
Ajo u bëri thirrje deputetëve ta mbështesin dhe nënshkruajnë nismën, duke thënë se qytetarët kanë nevojë për institucione funksionale që mbrojnë jetën dhe u garantojnë siguri.





