Maroku është optimist se do ta ruajë titullin e Kupës së Kombeve të Afrikës, ndërsa përplasja me Senegalin po pret vendimin përfundimtar të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS), që pritet të bëhet publik të martën.
Sipas burimeve të cituara nga gazeta spanjolle Marca, përfaqësuesit e Federatës Marokene presin që CAS-i të mos e ndryshojë vendimin e Konfederatës së Futbollit Afrikan (CAF). Në mars, kjo e fundit ia hoqi trofeun Senegalit dhe ia kaloi Marokut.
Të lidhura
None found
Finalja u zhvillua më 18 janar dhe përfundoi me fitoren e Senegalit, pas golit të Pape Gueye në kohën shtesë. Por takimi u shoqërua me polemika, pasi lojtarët senegalezë protestuan ndaj vendimeve të gjyqtarit dhe për një periudhë u larguan nga fusha.
Federata Marokene e kundërshtoi rezultatin, duke argumentuar se Senegali kishte braktisur ndeshjen. Në mars, CAF vendosi humbjen e Senegalit në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe ia dha titullin Marokut.
Arsyetimi i CAF-it u mbështet te neni 82 i rregullores së Kupës së Kombeve të Afrikës. Sipas kësaj dispozite, një skuadër që refuzon të luajë ose largohet nga fusha para përfundimit të ndeshjes pa lejen e gjyqtarit mund të shpallet humbëse dhe të përjashtohet nga gara.
Senegali nuk e pranoi vendimin dhe iu drejtua CAS-it, duke kërkuar që t’i rikthehej trofeu i fituar në fushë. Zyrtarët e federatës e kanë cilësuar vendimin e CAF-it të padrejtë, të paprecedentë dhe të papranueshëm.
Ndërkohë, përfaqësuesit senegalezë vijojnë ta quajnë ekipin e tyre kampion të Afrikës dhe kanë ekspozuar publikisht medaljet e marra pas finales.
CAS-i ka shqyrtuar për muaj të tërë ankesën e Senegalit dhe vendimi i tij pritet të publikohet nesër. Ai do të përcaktojë nëse titulli do të mbetet te Maroku apo do t’i rikthehet Senegalit.
Në kampin maroken mbizotëron besimi se rregullorja e garës dhe vendimi i mëparshëm i CAF-it janë në anën e tyre.
Nëse CAS-i e lë në fuqi vendimin e CAF-it, Brahim Diaz dhe bashkëlojtarët e tij do të vazhdojnë të njihen zyrtarisht si kampionë të Afrikës, edhe pse e humbën finalen në fushë.
Deri në shpalljen e vendimit, çështja mbetet e pazgjidhur, ndërsa Senegali vazhdon përpjekjet për të rimarrë titullin e fituar në stadium.








