Një ndërtesë e vogël brenda rezidencës së aktorit Will Smith në Calabasas të Kalifornisë u përfshi nga zjarri. Në pronën luksoze, vlera e së cilës është raportuar në 42 milionë dollarë, mbërritën zjarrfikësit dhe policia. Flakët u vunë nën kontroll.
Page Six raportoi se autoritetet morën njoftimin rreth mesnatës së të hënës, më 23 nëntor. Zyra e Sherifit të Qarkut të Los Angeles konfirmoi se operacioni për shuarjen e zjarrit kishte përfunduar dhe situata ishte nën kontroll.
Të lidhura
None found
Në pamjet e publikuara nga mediat amerikane duken disa automjete zjarrfikëse në pronë dhe tym që ngrihet nga ndërtesa e prekur. Videot tregojnë edhe automjete që futen në rezidencë nga porta kryesore.
Prona e Smith dhe bashkëshortes së tij, Jada Pinkett Smith, është përballur edhe më parë me zjarr. Në vitin 2021, banesa u dëmtua nga flakët që kishin nisur në bodrum, në një kohë kur rezidenca po rinovohej.
Smith kishte folur për shqetësimin e tij lidhur me sigurinë e shtëpisë edhe në vitin 2018, kur një zjarr i madh preku Kaliforninë Jugore dhe shkatërroi banesa të personazheve të njohur. Ai tregoi në Instagram se flakët ishin vetëm pak minuta larg pronës. Vajza e tij, Willow, ishte shqetësuar dhe i kishte kërkuar të dilte për të parë situatën.
Në janar të vitit 2025, zjarret shkatërruese në zonën e Palisades e detyruan familjen të largohej përkohësisht nga banesa.
Rezidenca luksoze prej 42 milionë dollarësh
Will Smith e bleu pronën në Calabasas në vitin 2003. Ndërtimi i rezidencës, e cila ka gjashtë dhoma gjumi dhe 13 banjo, përfundoi në vitin 2010. Një vit më pas, çifti e nxori në shitje për 42 milionë dollarë, por vendosi ta mbante.
Edhe marrëdhënia e çiftit ka qenë shpesh në vëmendjen e mediave. Në vitin 2023 u raportua se Will Smith dhe Jada Pinkett Smith kishin jetuar të ndarë prej disa vitesh, ndonëse nuk kishin njoftuar zyrtarisht një ndarje.
Sipas një raportimi të revistës People në korrik, aktorja ishte kthyer në banesën që ndajnë së bashku. Një burim pranë tyre tha se çifti ishte i lumtur dhe i dashuruar, si dhe vijonte të mbështeste njëri-tjetrin.








