Ndërsa Shtetet e Bashkuara po rishqyrtojnë praninë e tyre ushtarake në Evropë, fati i trupave amerikane në Kosovë mbetet i pasigurt.
Gjermania konfirmon se po bashkërendohet vijimisht me Uashingtonin dhe aleatët e NATO-s për të ardhmen e misionit paqeruajtës KFOR, por nuk jep detaje nëse në bisedime është përfshirë edhe zvogëlimi i kontingjentit amerikan.
Të lidhura
None found
Një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes i tha Radios Evropa e Lirë se “forcat amerikane luajnë rol të rëndësishëm në KFOR”.
Në pyetjen nëse me aleatët është diskutuar mundësia e reduktimit të trupave amerikane në Kosovë, ai u përgjigj: “Qeveria gjermane është në koordinim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me NATO-n dhe aleatët e saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, lidhur me të ardhmen e KFOR-it”.
Ai shtoi se hollësitë e planifikimit të misionit nuk mund të bëhen publike për arsye sigurie.
Këto deklarata vijnë pas konsultimeve të mbajtura më 17 nëntor në Bruksel, ku vendet anëtare të NATO-s biseduan me zyrtarin e lartë të Pentagonit, Elbridge Colby, për të ardhmen e pranisë ushtarake të SHBA-së në Evropë.
Përpara atij takimi, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, kishte deklaruar se priten ndryshime në numrin e trupave amerikane, por se përmasat e tyre mbeten ende të paqarta. Ai theksoi gjithashtu nevojën për bashkërendim me Uashingtonin, në mënyrë që të shmangen boshllëqet në mbrojtjen evropiane.
Pas konsultimeve, Colby shprehu shpresën se rishikimi i pranisë ushtarake të SHBA-së në Evropë do të përfundojë deri më 1 dhjetor. Ai nuk dha konfirmim për ndonjë reduktim të trupave, por theksoi se SHBA-ja duhet t’i vendosë forcat e veta sipas nevojave globale, përfshirë angazhimet në rajonin e Indo-Paqësorit. Megjithatë, ai saktësoi se kjo nuk nënkupton tërheqje të SHBA-së nga angazhimet në Evropë.
A pritet reduktim i trupave amerikane në Kosovë?
Autoritetet e Shteteve të Bashkuara kanë paralajmëruar më herët se kontributi i tyre në KFOR do të pësojë ndryshime. Në muajin qershor, Komanda Evropiane e SHBA-së konfirmoi se do ta përshtatë gradualisht kontributin amerikan në mision, në përputhje me planet e NATO-s. Sipas një zyrtari të kësaj komande, përshtatja do të zhvillohet në faza dhe do të mbështetet në vlerësimin e rrezikut. Në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë më 16 qershor, ai nuk specifikoi numrin e ushtarëve që mund të preken nga këto ndryshime.
Një kërkesë tjetër për sqarime iu dërgua Departamentit amerikan të Mbrojtjes më 20 nëntor, por ajo mbeti pa përgjigje. Ndërkohë, një burim anonim i Radios Evropa e Lirë pohoi se ekziston një plan për reduktim të ndjeshëm të pranisë ushtarake të SHBA-së në Kosovë. Sipas tij, numri i pjesëtarëve amerikanë mund të ulet nga rreth 650 që janë aktualisht në afërsisht 50 deri në shkurt të vitit 2028. Qëllimi, sipas të njëjtit burim, është që brenda dy vjetësh SHBA-ja të ketë në Kosovë vetëm një rol të kufizuar ushtarak, ndërsa disa pozita mund të mbeten në shtabin e KFOR-it, në kampin Film City në Prishtinë.
Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur që këto të dhëna t’i verifikojë në mënyrë të pavarur. As autoritetet e SHBA-së dhe as NATO-ja nuk kanë bërë publike ndonjë plan të tillë.
Çfarë ndryshimesh ka paralajmëruar NATO-ja?
Në qershor, Aleanca e Atlantikut njoftoi se do ta përshtatë gradualisht praninë e saj ushtarake në Kosovë, me synim që brenda një viti numri i trupave të kthehet në nivelet e periudhës para vitit 2023. Ky vendim u justifikua me përmirësimin e situatës së sigurisë. NATO kishte dërguar përforcime në vitin 2023, pas përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës, përfshirë sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe sulmin e armatosur në Banjskë.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë më 20 tetor, një zyrtar i NATO-s tha se misioni kishte rreth 4.600 ushtarë nga vendet anëtare dhe partnere. Ai shtoi se ndryshimet do të jenë graduale dhe do të varen nga vlerësimet e sigurisë, duke saktësuar se ato mund të pezullohen ose të kthehen mbrapsht nëse situata në terren e kërkon këtë. Aleanca ka theksuar gjithashtu se mund ta përforcojë KFOR-in nëse rrezikohet siguria e Kosovës ose stabiliteti rajonal.
NATO nuk ka dhënë shpjegime se si ky riorganizim do të ndikojë në kontingjentin amerikan, por ka mirëpritur kontributin afatgjatë të SHBA-së dhe angazhimin e trupave të reja amerikane në mision.
A mund ta shtojë Gjermania praninë e saj?
Në pyetjen nëse do të shqyrtonte dërgimin e më shumë ushtarëve në Kosovë në rast të një reduktimi amerikan, Ministria gjermane e Mbrojtjes nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë. Zëdhënësi i saj i tha Radios Evropa e Lirë se “Qeveria gjermane nuk spekulon për vendimet e mundshme të qeverive të tjera”. Ai kujtoi se Parlamenti gjerman e zgjati në qershor edhe për një vit mandatin e forcave gjermane në KFOR, duke lejuar dislokimin e deri 400 ushtarëve.
Shtetet e Bashkuara udhëheqin Komandën Rajonale Lindje të KFOR-it, me seli në kampin Bondsteel, afër Ferizajt. Forcat amerikane janë të pranishme në Kosovë që nga viti 1999, kur Aleanca dislokoi misionin paqeruajtës pas përfundimit të luftës. KFOR-i vepron në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Pavarësisht ndryshimeve të planifikuara, NATO ka nënvizuar se mandati i misionit dhe angazhimi i saj për sigurinë e Kosovës mbeten të pandryshuara.








