Nisur nga pasiguria për veprimin e radhës të presidentit amerikan Donald Trump – nëse ai do t’i vijojë negociatat apo do të urdhërojë goditje të reja – Irani ka paralajmëruar se nga data 22 nëntor do të fillojë të kufizojë furnizimin me energji elektrike.
Ky njoftim vjen vetëm pak ditë pasi autoritetet iraniane kishin nisur tashmë zbatimin e masave për kontrollin e blerjes së bukës, për shkak të mungesave ekzistuese.
Të lidhura
None found
Më 21 nëntor, Mohammad Allahdad, drejtues i kompanisë kombëtare të energjisë elektrike në Iran, deklaroi për televizionin shtetëror se, për shkak të gjendjes së furnizimit me karburante, sektori energjetik do të detyrohet të vendosë kufizime në shpërndarjen e rrymës që nga e diela.
Sipas Allahdadit, ndërprerjet e energjisë pritet të zgjasin deri në dy orë në ditë, në varësi të zonës ku ndodhen konsumatorët.
Presidenti iranian Masud Pezeshkian theksoi se sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit, të cilat filluan në fund të shkurtit, kanë rënduar problemet e furnizimit me energji, pikërisht në prag të muajve të ftohtë të dimrit.
“Sulmet kundër infrastrukturës së gazit të vendit e kanë përkeqësuar gjendjen, ndaj duhet të presim vështirësi gjatë këtij dimri”, u shpreh Pezeshkian, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ISNA.
Megjithëse Irani zotëron disa nga rezervat më të mëdha të naftës dhe gazit në nivel botëror, ai prej kohësh përballet me vështirësi për të përmbushur kërkesën e brendshme për energji. Kjo situatë rëndohet më tej nga rrjeti elektrik i vjetruar, në të cilin prej vitesh nuk është investuar, si dhe nga sanksionet perëndimore.
Njëkohësisht, autoritetet iraniane kanë nisur të kufizojnë sasinë e bukës së subvencionuar që familjet mund të blejnë në të paktën tri provinca. Pasi të harxhojnë kuotën mujore, konsumatorët duhet ta paguajnë bukën me një çmim afërsisht pesë herë më të lartë se ai i zakonshmi.
Zyrtarët kanë dhënë versione kontradiktore për atë që po ndodh, ndërsa masa ka shkaktuar kritika nga ekonomistët, si dhe nga mediat e linjës së ashpër.
Skema e Ministrisë së Brendshme, e quajtur “menaxhimi i blerjes së bukës”, po zbatohet përmes lexuesve të kartelave në furrat e bukës në provincat Markazi, Khuzestan dhe Zanjan. Sipas raportimeve të mediave iraniane më 18 nëntor, masa hyri në fuqi pa ndonjë njoftim publik dhe as furrtarët, as konsumatorët nuk ishin vënë në dijeni paraprakisht.
Në frontin diplomatik, Trump i tha televizionit Fox News se dëshiron të arrijë një marrëveshje “të përhershme” me Teheranin, e cila nuk do të mund të shfuqizohej nga asnjë president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara.
Ai shtoi se pas eliminimit të dy grupeve të udhëheqësve iranianë nga sulmet ajrore amerikane dhe izraelite, tashmë po negocion me një “grup të tretë” drejtuesish, të cilët, sipas tij, mund të jenë më të arsyeshëm se paraardhësit e tyre.
Në intervistën e 21 nëntorit për Fox News, Trump nënvizoi se ndryshimi i regjimit nuk ka qenë kurrë shqetësimi i tij kryesor, madje as pas vrasjes së udhëheqësit suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, dhe shumë zyrtarëve të tjerë të lartë në ditët e para të sulmeve ajrore.
“Disa njerëz flasin për ndryshim regjimi, por ata duhet të shpjegojnë se çfarë nënkuptojnë me këtë, sepse unë tashmë kam eliminuar dy regjime. Eliminova grupin e parë dhe pastaj edhe të dytin. Tani po merremi me grupin e tretë”, deklaroi ai.
Në një intervistë telefonike për televizionin izraelit News 12, Trump u shpreh se “nuk po ngutet” të marrë ndonjë vendim për Iranin.
“Do të shohim se çfarë do të ndodhë pas fillimit të vitit të ri”, shtoi ai.
Një javë më parë, Trump kishte thënë se ishte “mjaft e pamundur” që të urdhëronte sulme të reja ndaj Iranit, për sa kohë që negociatat vazhdonin. Megjithatë, disa media, duke iu referuar burimeve, kanë raportuar se presidenti mund ta rishqyrtojë këtë mundësi.
Televizioni CBS, gjithashtu duke cituar burime, njoftoi se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e ndërmarrjes së sulmeve të reja ndaj Iranit, pasi negociatat e ndërmjetësuara për muaj të tërë nga Katari dhe Omani nuk kanë sjellë përparim.
Lufta me Iranin u konsiderua nga shumë vëzhgues si një nga faktorët kryesorë që ndikuan në humbjen e thellë të Partisë Republikane në zgjedhjet e fundit afatmesme në SHBA.
Tashmë që zgjedhjet kanë përfunduar, mbetet e paqartë nëse Trumpi do ta shfrytëzojë këtë moment për të urdhëruar goditje të reja apo do të përmbahet nga veprimet ushtarake, duke pasur parasysh se konflikti është jopopullor mes publikut amerikan.








