Komuniteti i Plant City në Florida është tronditur thellë pas një tragjedie ku një baba 34-vjeçar ka vrarë bashkëshorten dhe tre fëmijët e tyre të mitur e më pas i ka dhënë fund jetës së tij.
Sipas Daily Mail, ngjarja ndodhi pasditen e së enjtes në banesën ku familja kishte jetuar për një vit.
Të lidhura
None found
Sherifi Chad Chronister njoftoi se pak para orës 15:30, zyra e tij pati një thirrje të hapur në linjën 911.
Rreth 10 minuta më pas, autoritetet mbërritën në vendngjarje dhe gjetën brenda shtëpisë pa jetë gruan, Raquel, 34 vjeçe, si dhe tre fëmijët e çiftit, të moshave 5, 3 dhe 1 vjeç. Gjithashtu u gjet i vdekur edhe autori, Isaac Luechtefeld, 34 vjeç, me profesion mekanik.
“Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë thellësinë e kësaj tragjedie. Një familje është humbur dhe zemrat tona janë me të dashurit e tyre”, u shpreh polici Chronister.
Sipas të njëjtave burime zyrtare, familja nuk kishte asnjë precedent penal dhe asnjëherë më parë nuk ishte kërkuar ndërhyrja e policisë në atë adresë.
Nëna e Isaac, Beverly Apticar, u shpreh: “Nuk kishte asnjë shenjë. Kjo është një tronditje për të gjithë. Kjo është diçka që askush nuk e pa që po vinte dhe ky nuk ishte Isaac-i.”
Rebecca Uribe, motra e Raquel, tregoi se çifti kishte shkuar në një darkë romantike të hënën, ndërsa fëmijët i kishte mbajtur nëna e saj, dhe gjithçka dukej normale. “Ata sapo kishin pasur një darkë të hënën, ndërsa nëna ime i mbante fëmijët dhe ata fjetën tek ajo, gjithçka ishte mirë,” tha ajo. Ajo shtoi se familja ishte mbledhur javën e kaluar për të festuar ditëlindjen e Raquel dhe se kunati i saj dukej normal.
Policia u bëri thirrje qytetarëve: “Dua t’u kujtoj që kushdo që po lufton, ndihma është e disponueshme dhe askush nuk duhet t’i përballojë momentet e tij më të errëta vetëm.”

Hetimet për të zbardhur motivin e ngjarjes janë ende në vijim.







