Yoga, pilates dhe padeli po fitojnë terren në Kosovë – arsyet e popullaritetit në rritje

Përtej sporteve tradicionale si futbolli dhe basketbolli, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish në Kosovë po i kushtohet aktiviteteve fizike që po bëhen të njohura në shkallë globale. Yoga, pilatesi dhe padeli janë tre shembuj që, për motive të ndryshme, po tërheqin vëmendjen e grupmoshave të ndryshme dhe gradualisht po kthehen në pjesë të jetës së përditshme.

Edhe pse secila prej tyre zhvillohet ndryshe dhe ka veçori të veta, të tria kanë një pikë të përbashkët: ndikimin e mundshëm në përmirësimin e gjendjes fizike dhe mirëqenies së përgjithshme.

Të lidhura

None found

Për disa, këto aktivitete shërbejnë si mënyrë për të qëndruar në lëvizje, për të tjerë janë rekreacion, ndërsa për një pjesë tjetër janë bërë komponentë të rëndësishëm të rutinës së përditshme.

Në Kosovë, ky interes vërehet sidomos te padeli, i cili gjatë viteve të fundit ka shënuar rritje të dukshme, ndërkohë që yoga dhe pilatesi po zënë vend përmes studiove të specializuara dhe programeve të ndryshme ushtrimore.

Padeli po rritet me ritme të shpejta edhe në Kosovë

Një nga aktivitetet me zgjerimin më të madh në vend është padeli. Sipas shifrave të Federatës Ndërkombëtare të Padelit (FIP) të publikuara në shtator 2026, Kosova ka rreth 9.000 lojtarë amatorë, 16 klube dhe 40 fusha padel.

Krahasuar me vitet e mëparshme, rritja është e dukshme. Në vitin 2024 regjistroheshin rreth 1.000 lojtarë amatorë, në vitin 2025 numri u rrit në rreth 3.000, ndërsa në vitin 2026 arriti në rreth 9.000, çka tregon se numri i vlerësuar i praktikuesve u trefishua në secilin vit raportues.

Ky zhvillim nuk u kufizua vetëm te ngritja e fushave të reja, por u shfaq edhe në organizimin e garave ndërkombëtare. Në maj 2026, Prishtina priti turneun FIP Bronze Prishtina, pjesë e kalendarit CUPRA FIP Tour, i cili u mbajt nga 7 deri më 10 maj në Terra Padel Society. Një tjetër shenjë e përparimit ishte edhe hapja e një fushe padel në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit të Universitetit të Prishtinës në shtator 2026, duke e sjellë këtë sport më afër komunitetit universitar.

Për të kuptuar më mirë arsyet e këtij popullariteti, Telegrafi bisedoi me Kushtrim Krasniqin, pronar i Padel Arena Prishtina. Ai vlerëson se rritja e padelit nuk është vetëm fenomen kosovar, por botëror.

Sipas tij, në Kosovë sot ekzistojnë rreth dhjetë qendra padel me mbi 40 fusha. Ai përmendi disa faktorë që kanë nxitur zgjerimin e shpejtë: loja tërheqëse, mundësia për të luajtur të dyja gjinitë dhe të gjitha moshat, madje edhe lojtarë mbi 60 vjeç që arrijnë të sfidojnë 20-vjeçarët. Sipas Krasniqit, mjafton ta provosh një herë me shok ose shoqe dhe menjëherë dashurohesh me këtë sport.

Sipas tij, padeli po shndërrohet në një nga aktivitetet më të kërkuara në Kosovë dhe po tërheq edhe njerëz që më parë nuk kanë pasur përvojë sportive.

Krasniqi pohoi se padeli po bëhet sporti i dytë më popullarizuar në Kosovë pas futbollit. Brenda 24 orësh, këtë sport e praktikojnë 200 deri 300 persona. Ai shtoi se ka lojtarë që luajnë çdo natë nga 2 deri në 3 orë, pra për shumë prej tyre padeli është bërë pjesë e jetës. Sipas tij, janë angazhuar edhe trajnerë spanjollë për të ngritur nivelin e këtij sporti në vend, dhe bëhet fjalë për një sport ku edhe ata që nuk janë marrë ndonjëherë me aktivitete sportive e gjejnë veten shumë lehtë.

Ai theksoi se padeli po praktikohet më së shumti nga ish-futbollistët dhe përmendi emra të njohur si Cristiano Ronaldo, Zinedine Zidane, Steven Gerrard, Arjen Robben dhe Granit Xhaka. Sipas tij, Robben madje merr pjesë në turne ndërkombëtare të organizuara nga Federata Ndërkombëtare e Padelit.

Krasniqi u ndal edhe te përfitimet e këtij sporti, duke nënvizuar se aktiviteti i rregullt fizik ndikon pozitivisht në gjendjen e përgjithshme të organizmit. Ai tha se padeli ndihmon në largimin e stresit dhe depresionit, si dhe e mban njeriun larg telefonit për disa orë. Po ashtu, sipas tij, ndihmon në menaxhimin e peshës, ul rrezikun e sulmeve në zemër dhe përmirëson qarkullimin e gjakut. Nga ana fizike, ai vlerësoi se ky sport jep forcë dhe fuqi muskulore, sepse vazhdimisht i mban në lëvizje këmbët, duart dhe krahët.

Yoga: nga praktika mijëvjeçare te një aktivitet global

Ndryshe nga padeli, yoga bën pjesë ndër praktikat më të vjetra të këtij grupi. Ajo e ka origjinën në Indi, më shumë se dy mijë vjet më parë, dhe fillimisht lidhej me meditimin, frymëmarrjen dhe harmoninë midis trupit e mendjes.

Me kalimin e kohës, yoga u zhvillua në forma të ndryshme, u përhap në shumë vende dhe u shndërrua në një aktivitet që e praktikojnë miliona njerëz.

Përhapja e saj jashtë Indisë u intensifikua sidomos gjatë shekujve XIX dhe XX, kur mësuesit indianë filluan ta prezantonin këtë praktikë në Evropë dhe Amerikë. Në dekadat e fundit, yoga është bërë pjesë e shumë qendrave fitnesi dhe studiove të specializuara, duke tërhequr persona që duan të rrisin fleksibilitetin, ekuilibrin dhe forcën, si dhe të ulin stresin.

Yoga nuk u bë e njohur vetëm përmes studiove dhe mësuesve. Një rol të rëndësishëm në përhapjen e saj patën edhe televizionet, të cilat në vitet 1970 filluan t’i kushtonin hapësirë ushtrimeve fizike dhe teknikave të relaksimit.

Një shembull ishte programi britanik “Yoga for Health”, transmetuar në vitin 1971, i cili arriti të mblidhte rreth katër milionë shikues. Nëpërmjet këtij emisioni, njerëzit mund të ndiqnin ushtrimet nga shtëpia dhe t’i praktikonin para ekranit.

Për ata që duan ta njohin më thellë këtë praktikë, sugjerohet edhe dokumentari “Enlighten Up!” i vitit 2009, i cili ndjek udhëtimin e një skeptiku në botën e yogës dhe shqyrton ndikimin e saj në jetët e njerëzve.

Edhe në Kosovë, yoga po tërheq interes përmes studiove të specializuara, ku njerëzit mund të praktikojnë ushtrime frymëmarrjeje, fleksibiliteti dhe relaksimi. Megjithatë, aktualisht nuk ka të dhëna publike që tregojnë saktësisht se sa persona e praktikojnë këtë aktivitet në vend.

Pilatesi: nga një metodë ushtrimesh te një aktivitet shumë i kërkuar

Pilatesi, nga ana tjetër, ka një histori shumë më të re. Metoda u krijua nga gjermani Joseph Pilates gjatë viteve 1920, fillimisht si një sistem ushtrimesh për forcimin dhe kontrollin e trupit.

Në fillim, metoda u përdor nga kërcimtarë, gjimnastë dhe sportistë, e më vonë u shtri edhe te publiku i gjerë.

Interesimi për pilatesin filloi të rritej ndjeshëm në vitet 1980 dhe 1990, kur gjithnjë e më shumë studio dhe qendra fitnesi e përfshinë atë në programet e tyre.

Një nga arsyet e këtij popullariteti është vëmendja te muskujt e pjesës qendrore të trupit, të njohur si “core”, si dhe te kontrolli i lëvizjeve, qëndrimi i drejtë dhe stabiliteti.

Edhe në Kosovë, pilatesi po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë. Për të kuptuar më mirë këtë zhvillim dhe mënyrën se si po ndryshon interesi i njerëzve, Telegrafi bisedoi me Erlet Muçollin nga “Erlet Muçolli Pilates”, i cili ka rreth 20 vjet përvojë në këtë fushë.

Muçolli vlerëson se vitet e fundit kanë sjellë ndryshim të dukshëm në mënyrën se si njerëzit në Kosovë e perceptojnë aktivitetin fizik dhe kujdesin ndaj vetes.

Ai u shpreh se, si dikush që ka kaluar gati 20 vjet duke ndërtuar këtë industri në Kosovë dhe duke edukuar njerëzit për përfitimet e pilatesit, është jashtëzakonisht i lumtur që kjo metodë më në fund ndodhet në qendër të vëmendjes, jo vetëm në vend, por edhe ndërkombëtarisht.

Sipas tij, që nga viti 2020 industria e mirëqenies ka përjetuar një shpërthim në Kosovë. Me përhapjen e TikTok-ut dhe rrjeteve të tjera sociale, njerëzit po e zbulojnë pilatesin, po e duan dhe po e praktikojnë gjithnjë e më shumë. Ai shtoi se kërkesa për studiot e tyre është në rritje të vazhdueshme, veçanërisht gjatë 7-8 viteve të fundit.

Muçolli theksoi megjithatë se, pavarësisht pozitivitetit që njerëzit po lëvizin më shumë, kjo rritje duhet të shoqërohet me përgjegjësi. Sipas tij, si çdo aktivitet fizik, edhe pilatesi duhet praktikuar me kujdes dhe në mënyrë profesionale, sidomos me klientë që kanë pasur lëndime, kanë kufizime në lëvizje ose ndodhen në fazë pas rehabilitimit.

Ai tha se, në fund të fundit, kemi të bëjmë me njerëz me trupa, nevoja dhe kërkesa të ndryshme, prandaj duhet treguar gjithmonë korrektesë ndaj tyre. Një lëvizje e gabuar, e përsëritur vazhdimisht, mund të shkaktojë dëm në vend të përfitimit, veçanërisht në Reformer Pilates.

Sipas Muçollit, çdo studio pilates që hapet në vend duhet të marrë përgjegjësinë për të arsimuar, certifikuar dhe trajnuar për një periudhë të gjatë stafin e saj profesional, pasi kjo fushë kërkon edukim të vazhdueshëm dhe modifikime të ndryshme sipas çdo klienti.

Ai u ndal edhe te përfitimet e pilatesit, duke nënvizuar se kjo metodë mund të ndihmojë në përmirësimin e forcës, kontrollit dhe stabilitetit, por nuk duhet parë si zgjidhja e vetme për çdo nevojë fizike.

Muçolli tha se pilatesi ndihmon padyshim në përmirësimin e kontrollit të trupit, uljen e stresit, forcimin e sistemit kardiovaskular, uljen e peshës së tepërt, rritjen e forcës muskulore, ruajtjen e ekuilibrit, përmirësimin e qëndrimit dhe shumë të tjera. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk do të thotë që format e tjera të ushtrimeve nuk i ofrojnë këto përfitime, ose që pilatesi është zgjidhja e vetme për të gjitha nevojat tona fizike vetëm se është bërë “trendy”.

Ai shtroi pyetjen nëse mund të kombinohen këto aktivitete dhe dha përgjigjen se patjetër që po, dhe se pilatesi nuk i përjashton sportet e tjera. Trupi ynë, sipas tij, ka nevoja të ndryshme që ndryshojnë sipas moshës, gjendjes fizike, qëllimeve dhe mënyrës së jetesës.

Muçolli u shpreh se çdo lëvizje është investim në shëndet, qoftë pilates apo diçka tjetër, dhe se është shumë pozitive që njerëzit kanë filluar të vetëdijesohen më shumë për ruajtjen e shëndetit nëpërmjet ushtrimeve.

Sa u përket personave që duan të nisin pilatesin, Muçolli theksoi se aktiviteti është i përshtatshëm për grupmosha dhe nivele të ndryshme të përgatitjes fizike, por ushtrimet duhet të përshtaten sipas nevojave individuale.

Ai tha se ata përpiqen të tregojnë pikërisht këtë realitet: pilatesi është për të gjithë, por jo të gjitha lëvizjet në pilates janë të përshtatshme për të gjithë. Sipas tij, nuk mund të punohet njëlloj me një klient që ka problem me hernie diskale, për shembull, si me një atlet apo përdorues të avancuar.

Muçolli shtoi se kanë ndërtuar komunitetin e tyre organik gjatë gjithë këtyre viteve, ku pilatesi ka ndihmuar shumë persona në rehabilitim pas lëndimeve dhe me probleme si kifoza, skolioza dhe problemet e gjunjëve. Sipas tij, ka ndihmuar njerëzit të rifitojnë vetëbesimin, të humbin peshë dhe të mos kërrusen.

Ai përfundoi duke thënë se ushtrimet janë sfiduese, por si studio ofrojnë modifikime dhe faza të ndryshme, ku secili praktikon në mënyrën që ndihet më rehat, ndërsa ata rekomandojnë progres gradual.

Për ata që duan ta provojnë pilatesin për herë të parë, sot mundësitë janë shumë më të mëdha se më parë. Përveç studiove të specializuara, ushtrimet mund të ndiqen edhe përmes programeve online, ku instruktorët demonstrojnë lëvizjet dhe shpjegojnë mënyrën e duhur të realizimit.

Kjo e ka bërë më të lehtë përfshirjen e pilatesit në rutinën e përditshme, edhe për personat që nuk kanë shumë kohë për të shkuar në palestër. Megjithatë, për personat me lëndime ose probleme shëndetësore, rekomandohet që para fillimit të ushtrimeve të konsultohen me profesionistë.

Një nga arsyet kryesore të kësaj përhapjeje është ndryshimi i mënyrës se si njerëzit e shohin aktivitetin fizik. Përtej ushtrimeve tradicionale në palestër, gjithnjë e më shumë persona po kërkojnë alternativa që ndërthurin lëvizjen me argëtimin, shoqërinë dhe mirëqenien mendore.

Yoga dhe pilatesi ofrojnë mundësi për t’u ushtruar në ambiente të mbyllura, në grup ose individualisht, pa qenë nevoja për përvojë të mëparshme sportive. Ndërsa padeli, i cili zakonisht luhet në çifte, krijon hapësirë për aktivitet fizik në grup dhe ndërveprim shoqëror.

Një faktor tjetër është përshtatshmëria e këtyre aktiviteteve me nivele të ndryshme përgatitjeje fizike. Nuk është e domosdoshme të jesh sportist profesionist për të filluar, pasi intensiteti dhe ushtrimet mund të përshtaten sipas aftësive të secilit.

Rrjetet sociale kanë ndikuar gjithashtu në përhapjen e tyre, duke bërë që ushtrimet, demonstrimet dhe përvojat personale të shpërndahen më lehtë. Kjo ka ndihmuar që aktivitete që dikur njiheshin kryesisht nga grupe të caktuara, sot të bëhen pjesë e interesimit të publikut të gjerë.

Përtej popullaritetit, një pyetje kryesore mbetet se sa përfitime reale sjellin këto aktivitete për shëndetin.

Yoga ndihmon në përmirësimin e fleksibilitetit, ekuilibrit dhe forcës muskulare. Nëpërmjet ushtrimeve të frymëmarrjes dhe përqendrimit, ajo mund të ndihmojë edhe në menaxhimin e stresit dhe ankthit.

Pilatesi fokusohet më shumë te forcimi i muskujve të barkut, shpinës dhe pjesës qendrore të trupit. Ushtrimet e kontrolluara mund të ndihmojnë në përmirësimin e qëndrimit, koordinimit, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë muskulare.

Padeli sjell një formë më dinamike të aktivitetit fizik. Lëvizjet e vazhdueshme, ndryshimet e drejtimit, reagimi i shpejtë dhe goditjet e topit angazhojnë grupe të ndryshme muskujsh. Nëpërmjet tij mund të përmirësohen kondicioni kardiovaskular, koordinimi, shkathtësia dhe qëndrueshmëria fizike.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon që të rriturit të kryejnë nga 150 deri në 300 minuta aktivitet fizik me intensitet të moderuar në javë, ose nga 75 deri në 150 minuta aktivitet me intensitet të lartë. Po ashtu, rekomandohen ushtrime për forcimin e muskujve të paktën dy ditë në javë.

Aktiviteti i rregullt fizik ndihmon në uljen e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare, diabet të tipit 2 dhe disa lloje kanceri, si dhe ndikon pozitivisht në shëndetin mendor dhe cilësinë e gjumit.

Kjo tregon se përfitimet nuk varen vetëm nga lloji i aktivitetit, por edhe nga rregullsia dhe intensiteti i praktikimit.

Padeli tashmë ka krijuar edhe yjet e veta në sportin profesionist. Një nga emrat më të njohur është spanjolli Arturo Coello, i cili së bashku me partnerin e tij argjentinas Agustin Tapia është kthyer në një nga dyshet më dominuese të këtij sporti.

Coello dhe Tapia arritën të bëhen numri një në botë në vitin 2023 dhe vazhduan dominimin edhe në vitet në vijim. Sukseset e tyre kanë ndihmuar në rritjen e interesit për padelin dhe në njohjen e tij nga një publik gjithnjë e më i gjerë.

Ata që duan ta njohin më mirë këtë sport mund të ndjekin garat e Premier Padel, qarkut kryesor profesional, ku marrin pjesë lojtarët më të mirë të botës. Ndeshjet dhe momentet më interesante publikohen edhe në kanalin zyrtar të këtij organizimi në YouTube, ndërsa garat kryesore mund të ndiqen përmes platformave transmetuese.

Ndërkohë, yoga dhe pilatesi kanë natyrë tjetër. Ato nuk funksionojnë në të njëjtën mënyrë si sportet tradicionale konkurruese dhe nuk kanë një qark të vetëm profesional të krahasueshëm me Premier Padel. Yoga ka edhe forma të organizuara garash sportive, ndërsa pilatesi mbetet kryesisht një metodë ushtrimesh fizike dhe jo një sport me kampionate botërore të standardizuara.

Në fund, yoga, pilatesi dhe padeli tregojnë se aktiviteti fizik nuk kufizohet vetëm në sportet tradicionale. Secila prej tyre ofron një mënyrë të ndryshme për të qëndruar aktivë, për të përmirësuar aftësitë fizike dhe për t’i kushtuar më shumë rëndësi shëndetit.

Rritja e interesit për këto aktivitete, veçanërisht zhvillimi i padelit në Kosovë dhe shtimi i studiove të specializuara për pilates e yoga, tregojnë se gjithnjë e më shumë njerëz po kërkojnë mënyra të reja për ta bërë lëvizjen pjesë të përditshmërisë së tyre.


Shtuar më 20.11.2026 11:39

grandpashabet girişBursa Escortgrandpashabet girişjojobetgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabet güncel girişdeneme bonusucasinofast güncel girişstarzbetonline notarylimanbetgiftcardmall/mygiftmarsbahismarsbahisgrandpashabetgrandpashabetTürk İfşajojobetjojobetmarsbahisbahis siteleribahis siteleriGrandpashabet girişjojobetsahabet girişjojobetjojobet giriş