Largimi i nëntë anëtarëve të një delegacioni zyrtar nga Somalia nga vendi ku po qëndronin gjatë vizitës në Kosovë, si dhe mosparaqitja e tyre për kthimin e parashikuar, ka ngritur shqetësime për përgjegjësinë e institucioneve, kontrollet ndaj të huajve dhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë te Kosova.
Ramadan Gjanaj, politolog dhe pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare, i tha “Bota sot” se është e rëndësishme të mos nxirren përfundime përpara se të bëhen të njohura rrethanat e plota të rastit.
Të lidhura
None found
“Para së gjithash, duhet të relativizojmë përmasat e këtij incidenti, për aq kohë sa nuk janë sqaruar rrethanat e sakta të largimit të nëntë shtetasve somalezë. Në këtë fazë, asgjë nuk na lejon të pohojmë me siguri se këta persona janë larguar nga territori i Kosovës, se kanë mbërritur në ndonjë shtet anëtar të Bashkimit Evropian apo se, që në fillim, kanë pasur për qëllim ta shfrytëzojnë këtë vizitë zyrtare për qëllime migrimi”, tha Gjanaj.
Ramadan Gjanaj
Ai paralajmëroi se, nëse vërtetohet se Kosova është shfrytëzuar për kalim drejt BE-së nën mbulesën e një delegacioni shtetëror, kjo mund të shkaktojë shqetësim te partnerët evropianë për funksionimin e kontrolleve të migrimit dhe të procedurave të vizave.

“Nëse hetimet do të dëshmonin se Kosova është përdorur realisht si territor tranziti drejt Bashkimit Evropian, nën petkun e një delegacioni të huaj qeveritar, kjo çështje mund të ngrinte pikëpyetje serioze te partnerët evropianë lidhur me besueshmërinë e mekanizmave të Kosovës për kontrollin e migrimit dhe lëshimin e vizave”, u shpreh ai.
Gjanaj: Përjashtimi nga vizat mund të pezullohet
Qytetarët e Kosovës udhëtojnë pa viza që nga 1 janari 2024, pas një procesi të gjatë të përmbushjes së kritereve të BE-së, kujtoi Gjanaj. Megjithatë, ai nënvizoi se Bashkimi Evropian ka në dispozicion instrumente për pezullimin e përkohshëm të këtij përjashtimi nëse një vend nuk i plotëson më kushtet.
“Ky liberalizim nuk përbën një arritje të pakthyeshme. Bashkimi Evropian disponon një mekanizëm që mundëson pezullimin e përkohshëm të përjashtimit nga detyrimi për vizë për shtetasit e një vendi të tretë, kur disa kushte nuk përmbushen më. Ky mekanizëm është përforcuar më tej me Rregulloren evropiane të 26 nëntorit 2025, e cila zgjeron mundësitë e ndërhyrjes së Bashkimit Evropian, veçanërisht në fushën e politikës së migrimit, sigurisë dhe harmonizimit të politikave të vizave”, shpjegoi ai.
Megjithatë, Gjanaj e quajti të tepruar pretendimin se vetëm largimi i nëntë shtetasve somalezë mund të sjellë pezullimin e liberalizimit të vizave për kosovarët.
“Megjithatë, më duket e tepruar të konsiderohet se largimi i nëntë shtetasve somalezë mund të çojë, në vetvete, në pezullimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, theksoi ai.
Sipas politologut, shqetësimi do të ishte më i madh nëse hetimet zbulonin dobësi të përsëritura në lëshimin e vizave, veprimtari të organizuara të migrimit të parregullt ose përfshirje të paligjshme të personave brenda institucioneve të Kosovës.
Ai rikujtoi se Komisioni Evropian i ka kërkuar Kosovës të vazhdojë përafrimin e politikës së vizave me atë të BE-së dhe të përforcojë kontrollet ndaj shtetasve të huaj që mund të paraqesin rrezik migrator ose sigurie.
Rasti mund të ndikojë edhe në rrugën drejt integrimit evropian
Gjanaj tha se çështja nuk prek vetëm liberalizimin e vizave, por mund të ndikojë edhe te besueshmëria e Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Teksa vendi synon të marrë statusin zyrtar të kandidatit për anëtarësim në BE, institucionet duhet të shmangin krijimin e dyshimeve të reja për punën e tyre, vlerësoi ai.
“Prandaj, besimi i partnerëve evropianë do të varet më pak nga vetë incidenti sesa nga aftësia e autoriteteve të Kosovës për ta sqaruar atë, për të identifikuar përgjegjësitë eventuale dhe, sipas rastit, për të ndërmarrë masat e nevojshme që një situatë e tillë të mos përsëritet”, deklaroi Gjanaj.
Ai vlerësoi se ende nuk mund të përcaktohet nëse kemi të bëjmë me një ngjarje të veçuar apo me mangësi më të thella institucionale. Por, për shkak të natyrës së pazakontë të rastit, autoritetet kompetente duhet të kryejnë hetime të hollësishme.
Gjanaj vuri në dukje se bëhet fjalë për pjesëtarë të një delegacioni zyrtar qeveritar prej njëmbëdhjetë personash, jo për nëntë të huaj që kanë ardhur në Kosovë veçmas për turizëm apo punë. Pas vizitës, në Somali u kthyen vetëm dy zyrtarët qeveritarë.
Pyetje për organizimin e vizitës dhe verifikimin e delegacionit
Politologu kërkoi që institucionet të sqarojnë se si u organizua vizita dhe çfarë kontrollesh u kryen për anëtarët e delegacionit.
“Kush e kishte ndërmarrë iniciativën për këtë ftesë zyrtare? Cili ishte qëllimi i saktë i vizitës? Cilat ishin funksionet reale të nëntë personave në kuadër të administratës somaleze? Në bazë të cilave dokumente autoritetet e Kosovës e kishin autorizuar hyrjen e tyre në territorin e vendit? Dhe, së fundi, si kanë mundur këta persona të largohen nga vendi ku ishin akomoduar, pa u bërë e ditur deri më sot se ku ndodhen?”, pyeti Gjanaj.
Ai tha se duhet të bëhet e qartë nëse, përpara se t’u lejohej hyrja, institucionet kosovare verifikuan të dhënat me homologët e tyre në Somali.
Paraqitja e dikujt si anëtar i një delegacioni zyrtar të huaj, theksoi Gjanaj, nuk i liron autoritetet nga detyrimi për të kontrolluar identitetin, funksionin dhe kushtet e hyrjes në Kosovë.
Gjanaj vë në dukje mungesën e informacionit publik
Gjanaj ngriti shqetësimin edhe për mungesën e të dhënave publike mbi atë që ka ndodhur pas largimit të nëntë personave.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u ka dërguar autoriteteve të Somalisë një notë verbale për të kërkuar sqarime, kujtoi ai. Por deri tani, sipas Gjanajt, nuk është bërë publik informacion i mjaftueshëm për ndonjë hetim gjyqësor, vendndodhjen e personave apo mënyrën si u larguan.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian ende nuk ka dalë me një qëndrim publik për rastin, por kjo nuk duhet marrë si shenjë e përfshirjes së institucioneve të BE-së.
Ndër skenarët që duhen shqyrtuar, Gjanaj përmendi mundësinë e një veprimtarie të organizuar migrimi të fshehur pas vizitës zyrtare, si edhe atë të bashkëpunimit të paligjshëm nga persona brenda institucioneve.
Ai përmendi gjithashtu mundësinë që të ketë pasur një operacion konfidencial të lidhur me sigurinë ose inteligjencën, por theksoi se nuk ka prova publike që e mbështesin këtë variant.
“Megjithatë, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në lidhje me këtë pikë të fundit: aktualisht nuk ekziston asnjë element i bërë publik që do të mund ta mbështeste një hipotezë të tillë dhe heshtja e institucioneve nuk mund të përbëjë provë të përfshirjes së tyre. Pikërisht për këtë arsye, një sqarim institucional është i domosdoshëm”, theksoi ai.
Kërkohet shqyrtimi i të gjithë zinxhirit institucional
Në përfundim, Gjanaj kërkoi verifikimin e çdo hallke institucionale të përfshirë në organizimin e vizitës: nga ftesa dhe dhënia e vizave, te kontrollet në hyrje dhe të dhënat për kalimin e mundshëm të kufijve.
Nëse konstatohen shkelje administrative, përgjegjësitë, sipas tij, duhet të përcaktohen në nivelin e shërbimeve dhe zyrtarëve përkatës. Në rast se dalin elemente të veprave penale, çështja duhet të hetohet nga prokuroria kompetente.
Përgjegjësia politike, vlerësoi ai, duhet të shqyrtohet në bazë të peshës së shkeljeve dhe nivelit të përfshirjes ose neglizhencës së drejtuesve të institucioneve.
“Megjithatë, nuk do të ishte as e drejtë dhe as juridikisht e bazuar të përcaktoheshin personat përgjegjës përpara se të ishin sqaruar rrethanat e kësaj çështjeje”, nënvizoi Gjanaj.
Sipas tij, rëndësia e ngjarjes nuk kufizohet te fati i nëntë shtetasve somalezë. Ajo lidhet edhe me aftësinë e shtetit të Kosovës për të vërtetuar çfarë ka ndodhur, për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme dhe për të ruajtur besimin e partnerëve ndërkombëtarë.
“Prandaj, rëndësia e vërtetë e kësaj çështjeje nuk qëndron vetëm në largimin e nëntë shtetasve somalezë, por në aftësinë e shtetit të Kosovës për të vërtetuar faktet, për të identifikuar përgjegjësitë eventuale dhe për të ruajtur besimin e partnerëve të tij evropianë”, përfundoi Gjanaj.








