Një familjar i viktimës së përfshirë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do të vijojë të marrë pjesë në procedurë, edhe pas ndarjes nga jeta të viktimës.
Paneli Gjyqësor II i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e mori këtë vendim më 6 nëntor 2026, pas kërkesës së paraqitur nga avokati i viktimave, Simon Laws.
Të lidhura
None found
Sipas vendimit të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës, viktima mbante kodin V260/06 dhe ishte pranuar si pjesëmarrëse në proces më 15 shkurt 2023.
Ajo ndërroi jetë më 2 tetor 2026. Pas kësaj, Simon Laws kërkoi që një prej familjarëve të saj të autorizohej për të vazhduar pjesëmarrjen në procedurën gjyqësore.
Për këtë qëllim, avokati dorëzoi certifikatën e vdekjes, si edhe dokumentet që provonin marrëdhënien familjare ndërmjet viktimës dhe personit që kërkonte të merrte pjesë në vijim të procesit.
Paneli arriti në përfundimin se kërkesa përmbushte kriteret e nevojshme për t’u pranuar, pasi ishin vërtetuar edhe vdekja e viktimës, edhe ekzistenca e lidhjes së ngushtë familjare.
Në vendimin e saj, Gjykata theksoi se Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Rregullorja e Procedurës dhe Provave nuk e përcaktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë mundësinë e vijimit të pjesëmarrjes pas vdekjes së viktimës. Megjithatë, të drejtat që lidhen me pjesëmarrjen mund t’u kalojnë trashëgimtarëve.
Sipas Panelit Gjyqësor, një zgjidhje e tillë është e domosdoshme për të bërë efektive të drejtën e viktimave për njohjen e dëmit të pësuar prej tyre.
Gjykata vendosi gjithashtu që familjari të përfitojë masa mbrojtëse. Identiteti dhe të dhënat e tij personale nuk do t’u bëhen të ditura palëve në proces apo publikut.
Gjatë dokumenteve dhe procedurave gjyqësore, ai do të figurojë me pseudonimin V260A/06.
Me këtë vendim, Paneli Gjyqësor II pranoi kërkesën e avokatit të viktimave dhe i hapi rrugë vijimit të pjesëmarrjes së familjarit në gjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.






