Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk mund të vijojë punimet për amfiteatrin në sheshin e qytetit, pasi Gjykata Themelore në Mitrovicë ka pranuar kërkesën e ndërmarrjes “Trepça” për vendosjen e masës së sigurisë.
Vendimi është nxjerrë më 16 nëntor 2026. Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Hateme Haxhaj, ia konfirmoi këtë KosovaPress-it.
Të lidhura
None found
Haxhaj bëri të ditur se më 16.11.2026 është lëshuar aktvendimi që miraton propozimin e “Trepça” Sh.A. për caktimin e masës së sigurisë ndaj Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Në seancën e 3 nëntorit 2026, avokati i komunës, Arbër Shala, ishte shprehur kundër kërkesës. Ai kishte vënë në pikëpyetje edhe kompetencën lëndore të Gjykatës, duke argumentuar se, meqë procedura zhvillohej mes dy subjekteve juridike, çështja duhej të shqyrtohej nga Gjykata Komerciale.
Gjyqtari Haliti, pasi dëgjoi palët, kishte lejuar që kërkesa për masën e sigurisë të precizohej.
Në shqyrtim u dëgjua edhe eksperti i gjeodezisë Nehat Sahiti. Sipas konstatimit të tij, projekti i amfiteatrit në sheshin e Mitrovicës së Veriut përfshin tri parcela, dy prej të cilave janë pronë e “Trepçës”.
Ekspertiza tregoi se ndërtimi zinte 11 metra në njërën nga parcelat e ndërmarrjes, ndërsa pajisjet e punës ishin vendosur në të dy parcelat që i përkasin “Trepçës”.
Më 7 tetor 2026, Gjykata e Mitrovicës kishte shkuar në vendin ku punimet për amfiteatrin ishin ndërprerë. Atje konstatoi se parcela ishte në pronësi të “Trepçës” dhe se komuna kishte nisur ndërtimin pa miratimin paraprak të ndërmarrjes ose pa një bazë tjetër të vlefshme ligjore.
Me vendimin e atëhershëm, komunës iu ndalua të kryente çfarëdo punimi, ndërtimi, ndërhyrjeje apo aktiviteti tjetër në zonën ku kishte filluar projekti i amfiteatrit të hapur.
Gjykata vlerësoi se vijimi i punimeve mund të cenonte pronësinë dhe të ndryshonte ose dëmtonte gjendjen faktike të pronës. Sipas saj, “Trepça” e kishte dëshmuar në mënyrë të besueshme të drejtën mbi parcelat, përmes të dhënave kadastrale që e regjistronin ndërmarrjen si pronare.
Nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Adriana Hoxhiq, i tha shkurt KosovaPress-it se situata lidhej me “një keqkuptim mes Komunës dhe ‘Trepçës’”, duke shprehur shpresën se ai do të zgjidhej.
Ndërtimi i amfiteatrit në sheshin e Mitrovicës së Veriut nisi më 14 shtator 2026 dhe për projektin u ndanë 50 mijë e 475 euro. Vendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë për pezullimin e punimeve ishte marrë më 23 shtator 2026.







