Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po lë pasoja të rënda mjedisore. Në Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit janë dokumentuar qindra derdhje nafte, të cilat rrezikojnë ekosistemet detare dhe brigjet.
Një investigim i gazetës britanike The Guardian, i mbështetur në imazhe satelitore, tregon njolla të mëdha nafte në ujërat e Gjirit. Ato janë shfaqur pasi cisterna janë goditur nga raketa ose kanë hasur mina detare gjatë muajve të fundit.
Të lidhura
None found
Greenpeace bën të ditur se, që nga nisja e luftës më 28 shkurt, në Gjirin Persik, Ngushticën e Hormuzit dhe Detin Arabik janë identifikuar mbi 500 derdhje nafte. Po sipas organizatës, prej fillimit të konfliktit janë regjistruar edhe më shumë se 133 sulme ndaj cisternave të naftës.
Duke mbledhur sipërfaqet e prekura nga derdhjet ditë pas dite, ekspertët e vlerësojnë shtrirjen kumulative të ndotjes në rreth 20 mijë kilometra katrorë, pothuajse sa territori i Uellsit. Këtë mënyrë përllogaritjeje e shpjegoi Nina Noelle, eksperte e Greenpeace për përballimin e katastrofave mjedisore.

Një nga incidentet më të rënda ndodhi në tetor. Supercisterna Gem No 2 u godit pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe njolla e naftës që pasoi u shtri në më shumë se 35 kilometra gjatësi. Ndotja ka arritur edhe në brigjet e Iranit dhe Omanit, përfshirë zona të mbrojtura natyrore dhe habitate të rëndësishme për jetën e egër.
Ngushtica e Hormuzit ka vlerë të veçantë ekologjike: shkëmbinjtë nënujorë koralorë, pyjet e mangrovave dhe livadhet detare të saj mbështesin një larmi të madhe speciesh. Nafta mund të dëmtojë organizma që nga jovertebrorët e vegjël te peshqit, shpendët dhe breshkat e detit. Në rrezik janë gjithashtu zinxhiri ushqimor detar dhe komunitetet bregdetare që mbështeten te peshkimi.

Bernhard Riegl, biolog detar në Universitetin Nova Southeastern në Florida, e studion Gjirin Persik prej më shumë se 30 vitesh. Ai paralajmëroi se lufta nuk mund të jetë e pastër as për njerëzit që përfshihen në të, as për mjedisin ku zhvillohet.


Ekspertët theksojnë se zhdukja e njollave nga sipërfaqja e ujit nuk do të thotë se ndotja ka përfunduar. Nafta mund të mbetet për shumë vite në sedimentet detare, përgjatë brigjeve dhe në rrënjët e mangrovave. Sipas Greenpeace, shkëmbinjve koralorë dhe pyjeve të mangrovave mund t’u duhen dekada për t’u rikuperuar, sidomos kur nafta mbetet në sedimente.

Riegl paralajmëroi se pasojat e ndotjes së përhapur nga nafta mund të dallohen për dekada. Sipas tij, dëmi mund të prekë breza të tërë dhe të çojë në humbjen e diçkaje të pazëvendësueshme.







