Një raport përfundimtar i Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA arrin në përfundimin se autoritetet federale mund t’i kishin ndalur krimet e Jeffrey Epstein pas vitit 2005, nëse hetuesit dhe prokurorët do t’i kishin përmbushur detyrat e tyre. Dokumenti u publikua të martën.
Përgatitja e raportit pasoi një hetim 15-mujor nga komiteti i drejtuar prej republikanëve. Ai shqyrton se si institucionet amerikane i trajtuan ndër vite hetimet penale ndaj financierit të ndjerë Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtores së tij të ngushtë, Ghislaine Maxwell.
Të lidhura
None found
Gjetjet bazohen në intervista, dëshmi të dhëna nën betim, dokumente qeveritare dhe të dhëna financiare. Raporti vlerëson se një pjesë e krimeve mund të ishin parandaluar po të kishin reaguar në kohë autoritetet dhe po t’i kishin hetuar plotësisht akuzat.
Dokumenti thotë se disa nga problemet erdhën prej gjykimit të dobët në Zyrën e Prokurorit të SHBA-së, ndërsa të tjera, sipas autorëve, duket se lidhen me ndikimin e gjerë të Epstein.
Raporti veçon vendimin e zyrës së prokurorit për Distriktin Jugor të Floridës, e cila në vitin 2007 u pajtua me Epstein për një marrëveshje që e lejoi t’i shpëtonte ndjekjes penale federale. Sipas dokumentit, në vend që të hetonte plotësisht akuzat edhe në shtete të tjera, zyra zgjodhi këtë marrëveshje.
Epstein vdiq më 2019 në burg, ku po mbahej në pritje të gjykimit për akuzat e trafikimit seksual. Për vdekjen e tij në një institucion të Nju Jorkut, raporti konstaton se ndikuan disa dështime institucionale.
Mungesa e punonjësve, ngarkesa e tepërt e personelit, problemet me dokumentimin dhe siguria e pamjaftueshme renditen mes mangësive të evidentuara. Hetuesit thonë se provat e mbledhura nuk kanë përjashtuar përfundimisht disa teori për vdekjen. Një nga çështjet që mbetet e paqartë është edhe ndërprerja në pamjet e kamerave të sigurisë.
Komiteti kritikon gjithashtu Departamentin e Drejtësisë (DoJ) për mënyrën si komunikoi publikimin e dokumenteve. Sipas raportit, redaktimi i pamjaftueshëm bëri që të dhënat personale dhe sensitive të disa viktimave të bëheshin publike.
Departamenti ka publikuar miliona faqe që lidhen me çështjen Epstein, në përputhje me ligjin e miratuar nga Kongresi. Megjithatë, në fillim të këtij viti, autoritetet hoqën nga faqja e tyre mijëra dokumente, pasi viktimat denoncuan publikimin e identitetit të tyre.
Raporti shtron akuza edhe ndaj institucioneve financiare, përfshirë American Express, të cilat dyshohen se kanë lehtësuar trafikimin e njerëzve dhe mashtrimin me dokumentet e emigracionit. Sipas hetimit, Epstein përdorte fluturime nën identitete të rreme dhe itinerare fiktive për të transportuar punonjës të huaj përtej kufijve.
Grupi hetimor rekomandon që Kongresi të miratojë ligj për të parandaluar keqpërdorimin e marrëveshjeve të konfidencialitetit (NDA), të cilat, sipas raportit, Epstein i shfrytëzonte për t’u imponuar heshtje viktimave.
James Comer, kryetar republikan i Komitetit të Mbikëqyrjes, tha se Epstein kishte vepruar për vite pa u ndëshkuar, i mbështetur nga lidhjet me njerëz me pushtet dhe nga një sistem drejtësie që, sipas tij, i zhgënjeu vazhdimisht viktimat.
Comer i bëri thirrje Departamentit të Drejtësisë të marrë në pyetje ose të ripyetë dëshmitarët kryesorë, të hetojë personat e lidhur me Epstein që akuzohen për krime dhe të sigurojë që viktimat të mund të kenë qasje në dokumentet e tyre.
Çështja vazhdon të jetë në qendër të debatit politik në SHBA, ku republikanët dhe demokratët shkëmbejnë akuza. Në raport, republikanët thonë se demokratët përqendrohen te përpjekjet për të lidhur presidentin Donald Trump me çështjen, duke i cilësuar ato “gjueti shtrigash të pabazuar” dhe duke lënë në plan të dytë interesat e viktimave.
Trump ka thënë më parë se kishte pasur marrëdhënie miqësore me Epstein, por se ata i ndërprenë raportet në vitin 2004. Emri i presidentit amerikan figuron mijëra herë në dokumentet e publikuara, por përmendja e tij nuk është, më vete, provë për shkelje apo përfshirje në veprimtari kriminale.
Komiteti deklaron se shqyrtimi i dokumenteve nuk zbuloi materiale që e implikojnë Trumpin. Robert Garcia, demokrati që përfaqëson demokratët në Komitetin e Mbikëqyrjes, e kritikoi raportin, duke thënë se ai mbështetet në një hetim të paplotë dhe se nuk u mbajt asnjë seancë dëgjimore publike për Jeffrey Epstein.
Garcia akuzoi Departamentin e Drejtësisë se po fsheh “mbi 2.5 milionë faqe dokumentesh” dhe deklaroi se nuk do të lejojnë që presidenti dhe aleatët e tij ta hedhin poshtë hetimin.
Pas marrjes së kontrollit të Kongresit nga demokratët, pas zgjedhjeve të fundit afatmesme, Garcia pritet të bëhet kryetar i komitetit në janar.
Raportin e mirëpritën edhe Sky dhe Amanda Roberts, familjarë të Virginia Roberts Giuffre, një prej akuzueseve më të njohura të Epstein, e cila ka ndërruar jetë. Në deklaratën e tyre, ata thanë se mbeten shumë paqartësi për dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë.
Familjarët iu referuan vërejtjes në raport se nuk dihet nëse Departamenti i Drejtësisë ka nxjerrë të gjitha dokumentet përkatëse. Ata shprehën dakordësi me këtë shqetësim dhe kërkuan publikimin e të gjitha dokumenteve, mbi 7 milionë gjithsej.
Ata shtuan se ende ka shumë persona të paidentifikuar që nuk janë përballur me drejtësinë. Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë, ndërkaq, kundërshtoi kërkesat e Comer, duke thënë se rekomandimet e tij janë trajtuar tashmë.
Zëdhënësi shtoi se Prokurorja e Përgjithshme ka përsëritur se hetimi për Epstein nuk ka përfunduar dhe se trafikimi i qenieve njerëzore nuk parashkruhet.
Hetimet dhe debati mbi dokumentet vazhdojnë edhe në Nju Meksiko, ku Epstein zotëronte një fermë. Prokurori kryesor i shtetit e ka akuzuar Departamentin e Drejtësisë për pengim të hetimit penal.
Raporti i ri rikthen vëmendjen te dështimet e institucioneve në çështjen Epstein dhe te pyetjet ende të hapura për përgjegjësinë e njerëzve dhe institucioneve që i mundësuan veprimtarinë për shumë vite.








