Pas evidentimit të mashtrimeve me vegëza të rreme që synojnë të marrin të dhëna bankare, Policia e Kosovës u ka kërkuar qytetarëve të tregojnë kujdes kur shesin produkte në platformat online.
Sipas Policisë, të dyshuarit u shkruajnë personave që kanë nxjerrë produkte në shitje dhe hiqen si blerës. Më pas u dërgojnë vegëza mashtruese, ku u kërkohet të plotësojnë të dhënat e kartelës bankare me pretendimin se ato duhen për pagesën.
Të lidhura
None found
Policia këshillon që vegëzat e dyshimta të mos hapen dhe të mos ndahen numri i kartelës, data e skadimit, kodi CVV/CVC apo kodet e konfirmimit bankar.
Çdo kërkesë që lidhet me pagesën duhet të kontrollohet vetëm nëpërmjet kanaleve zyrtare të bankës ose të platformës përkatëse, sipas këshillës së Policisë.
Nëse të dhënat bankare janë vendosur në një faqe të dyshimtë, qytetarët duhet të njoftojnë menjëherë bankën për të bllokuar kartelën dhe ta raportojnë rastin në organet e rendit, rekomandon Policia.
Në apelin e saj, Policia e Kosovës thekson se shitja online nuk kërkon zbulimin e të dhënave të kartelës bankare.





