Rreth 150 mijë lodrave për fëmijë të importuara nga Kina u është ndaluar hyrja në tregun e Kosovës, sepse nuk përmbushnin standardet e sigurisë.
Produktet u identifikuan gjatë një aksioni kontrolli të zhvilluar ditët e fundit në pikat doganore nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) dhe Dogana e Kosovës. Kontrollet treguan se ato nuk përmbushnin kërkesat ligjore.
Të lidhura
None found
IQMT njoftoi se lodrat nuk plotësonin kërkesat themelore të Rregullores nr. 02/2017 për sigurinë e lodrave.
Kontrollet ishin pjesë e një veprimtarie të përbashkët për mbikëqyrjen e tregut në vendet anëtare të CEFTA-s, e cila synon të pengojë hyrjen në treg të produkteve të pasigurta.
Sipas paralajmërimit të IQMT-së, lodrat që nuk janë në përputhje me standardet e legjislacionit në fuqi mund të përbëjnë rrezik serioz për shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit bëri të ditur se, përmes inspektoratit, do të vijojë kontrollin e produkteve që synojnë të hyjnë në tregun e Kosovës, për të mbrojtur konsumatorët.




