Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka ngritur shqetësimin se Autoriteti i Konkurrencës vazhdon të mos raportojë para Komisionit parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion.
Sipas KDI-së, mungesa e raportimit dobëson mbikëqyrjen nga Kuvendi dhe llogaridhënien e institucioneve publike. Instituti thekson se kjo po ndodh ndërkohë që ka raportime se organi kolegjial i Autoritetit të Konkurrencës nuk funksionon që nga prilli i vitit 2025.
Të lidhura
None found
Çështja, sipas KDI-së, u diskutua në mbledhjen e Komisionit më 20 tetor. Raportimi i kryetares së Autoritetit, Neime Binaku-Isufi, u planifikua për 27 tetor, por u shty pasi ajo njoftoi se nuk mund të merrte pjesë.
Më 3 nëntor, Komisioni nuk arriti ta mbante mbledhjen për shkak të mungesës së kuorumit, pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk morën pjesë.
Në mbledhjen e 10 nëntorit u paraqitën dy anëtare të Autoritetit të Konkurrencës, ndërsa kryetarja mungoi. Deputetët e VV-së kërkuan që raportimi të hiqej nga rendi i ditës ose të shtyhej, por opozita nuk e mbështeti propozimin.
KDI vlerëson se mungesa e kryetares dhe përpjekjet e deputetëve për të penguar raportimin e institucioneve publike e dëmtojnë rëndë llogaridhënien. Instituti kujton se deputetët kanë për detyrë të kërkojnë dhe të sigurojnë llogaridhënie për çështjet me interes publik. Ai i referohet nenit 65, paragrafit 9, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sipas të cilit Kuvendi mbikëqyr Qeverinë dhe institucionet e tjera publike që i raportojnë atij në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.
Instituti u kërkon deputetëve të Kuvendit të përmbushin detyrimet institucionale dhe të mos lejojnë që interesat politike të bëhen pengesë për mbikëqyrjen.
KDI kërkon gjithashtu që Komisioni për Ekonomi ta vendosë sa më shpejt sërish në rend dite raportimin e Autoritetit të Konkurrencës dhe të trajtojë çështjet e ngritura.





