Bordi drejtues i Nvidia-s ka vendosur të hetojë nëse shefi ekzekutiv i kompanisë, Jensen Huang, është vënë në shënjestër të spiunazhit të huaj.
Nisma u ndërmor pasi Huang pranoi se kishte pasur një aferë me një grua kineze dhe se kishte qenë i pabesë ndaj bashkëshortes së tij.
Të lidhura
None found
Përmes një deklarate të publikuar sot, bordi njoftoi krijimin e një komiteti të përbërë nga anëtarë të pavarur. Komiteti do të bashkëpunojë me këshilltarë ligjorë të jashtëm dhe do të mbikëqyrë procesin hetimor.
Hetimi do të fokusohet edhe te raportimet se drejtori ekzekutiv i Nvidia-s “po shënjestrohet nga agjenci të huaja të inteligjencës”, sipas formulimit të përdorur nga kompania.
“Bordi nuk ka arsye të besojë se siguria kombëtare apo sekretet e Nvidia-s janë komprometuar, por hetimi do të shqyrtojë të gjithë informacionin në dispozicion”, thuhet në deklaratë.
Në një memo dërguar punonjësve, Huang shprehu “keqardhje të thellë” për aferën. “Kam qenë i pabesë ndaj gruas sime. Veprimet e mia e kanë lënduar atë dhe fëmijët tanë. Nuk ka asnjë justifikim për atë që bëra”, deklaroi ai.
Huang, 63 vjeç, bëri të ditur se do të bashkëpunojë plotësisht me hetimin dhe do të vijojë të drejtojë kompaninë deri në përfundimin e tij.
Sipas Bloomberg, deklarata e CEO-s u publikua pas disa raportimeve se ai ishte vënë në shënjestër nga Alice Huang, ish-ekzekutive e Megaspeed International. Qeveria amerikane dyshon se ajo është rekrutuar nga një agjenci kineze spiunazhi. Në fillim, Huang e kishte përshkruar marrëdhënien me të si “normale”.
Nvidia, me seli në Santa Clara të Kalifornisë, nuk ka bërë publik një plan për pasardhësin e Huang dhe nuk ka një zëvendësues të dukshëm për të. Ai ka deklaruar vazhdimisht se synon të qëndrojë në detyrë për dekada, ndërsa ka ngritur rreth vetes një strukturë joformale organizative që shmang hierarkinë tradicionale. Në këtë model, vartësit e tij të drejtpërdrejtë zbatojnë vendimet e tij me shpejtësi.
Sipas Huang, kjo mënyrë organizimi i mundëson Nvidia-s të përshtatet me ritmin e lartë të ndryshimeve teknologjike dhe të ruajë fleksibilitetin. Megjithatë, ajo ka krijuar gjithashtu një situatë ku nuk ekziston një pasardhës i gatshëm për të marrë përsipër axhendën e ngjeshur të drejtuesit ekzekutiv.
Nvidia konsiderohet kompania me vlerën më të madhe në histori. Në tetor, ajo arriti një vlerë prej 5.8 trilionë dollarësh, por tashmë ka zbritur nën nivelin e 5 trilionë dollarëve, pjesërisht për shkak të pikëpyetjeve mbi qëndrueshmërinë afatgjatë të industrisë së inteligjencës artificiale.
E kaluara e Alice Huang
Të dhënat për të kaluarën e Alice Huang, e cila njihet edhe me emrin Huang Le, janë të pakta dhe në disa raste nuk përputhen me njëra-tjetrën.
Siç ka raportuar New York Times, nuk dihet me saktësi se kur u njohën për herë të parë CEO i Nvidia-s dhe drejtuesja e Megaspeed. Megjithatë, thuhet se ajo kishte publikuar në rrjetet sociale fotografi ku shfaqej së bashku me Huang.
Alice Huang e ka prezantuar veten si CEO e Megaspeed, kompani me bazë në Singapor. Për tetë muajt e parë, ajo figuroi në dokumentet e kompanisë si drejtoreshë e përgjithshme, përpara se emri i saj të hiqej prej tyre. Raportohet se më herët kishte punuar si gazetare televizive në Kinë, por New York Times nuk arriti ta verifikonte këtë informacion.
Më pas, ajo punoi në banka të mëdha kineze dhe iu bashkua fondit me bazë në Shangai, Hexi Capital. Ky fond ka investuar në kompani të ndryshme që lidhen me sektorët e gjysmëpërçuesve dhe inteligjencës artificiale.
Investitorë teknologjie që e njohin kompaninë kanë thënë se Huang dhe bashkëpunëtorët e saj mburreshin me lidhjet me drejtuesin e Nvidia-s. Sipas tyre, këto lidhje u përdorën për të siguruar kapital dhe për të promovuar një rrjet biznesesh në zgjerim të shpejtë, të cilat kanë investuar së bashku me qeverinë kineze në qendra të të dhënave në të gjithë Kinën.
Megaspeed raportohet se ka blerë 136,000 karta grafike (GPU) nga Nvidia. Kontrolluesit i gjetën këto pajisje në serverët e kompanisë. Për pjesën tjetër të kartave nuk dihet çfarë ka ndodhur; nëse vlerësimet janë të sakta, ato mund të kenë përfunduar në Kinë.
Po ashtu, dyshohet se Megaspeed mund të ketë shërbyer si një kompani fasadë për Pekinin, me qëllim sigurimin e teknologjisë që Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar të eksportohet në Kinë.






